Pamje nga fillimi i takimit trepalësh në Ohër
Qëndrime të ndryshme për termin e përdorur për personat e zhdukur
Deklarata
Petar Petkoviq (04.04.2023) – “Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme”
Albin Kurti (06.04.2023) – “Formulimi i saktë në anglisht është ‘Forcibly disappeared’, pra do të thotë ata që janë të zhdukur me dhunë, kështu është termi që është dakorduar”
Bashkimi Evropian (14.04.2023) – “Si hap i parë dhe në përputhje me Aneksin, palët ranë dakord për tekstin e Deklaratës së Personave të Zhdukur, i cili do të miratohet zyrtarisht nga liderët në takimin e ardhshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë. Detaje të mëtejshme do të ndahen pas miratimit”
Vlerësimi
Hetimet vazhdojnë
Kosova dhe Serbia kanë dhënë qëndrime të ndryshme se cili term është përdorur për t’iu referuar personave të zhdukur pas takimit të kryenegociatorëve më 4 prill 2023 në Bruksel. Nga ana tjetër, BE si ndërmjetësues i dialogut nuk ka dhënë detaje për termin e përdorur. Ata kanë thënë se detajet do të ndahen pas miratimit të Deklaratës për personat e zhdukur që pritet të bëhet më 2 maj 2023, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. KRYPOMETRI do të vazhdojë të monitorojë takimin e 2 majit, deklaratën e miratuar dhe termin e përdorur për personat e pagjetur.
Artikulli
Në fillim të muajit prill 2023, Kosova dhe Serbia u pajtuan për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, pas takimit trepalësh në Bruksel mes zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petar Petkoviq dhe përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.
Mirëpo, palët kanë interpretuar në mënyra të ndryshme termin për personat e pagjetur, marrëveshje që konsiderohet urgjencë, e cila del nga aneksi i dakorduar më 18 mars në Ohër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti insiston se palat u dakorduan për “Forcibly disappeared” apo “të zhdukur me dhunë”, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq thotë se nuk e kanë pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme.
Në anën tjetër, Josep Borrell ka deklaruar se në takimin e radhës të nivelit të lartë [2 maj 2023] mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, BE do ta mbështes miratimin e tekstit për marrëveshjen për të pagjeturit.
Kosova thotë “të zhdukurit me dhunë” por jo edhe Serbia
Pas takimit të 4 prillit 2023 në Bruksel mes zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi dhe kryenegociatiorit serb Petar Petkoviq, ky i fundit kishte deklaruar se nuk e kanë pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme.
“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë” – kishte deklaruar Petkoviq.
Dy ditë më vonë, më 6 prill 2023, ndryshe nga Petkoviq, kryeministri Albin Kurti ka thënë se termi në anglisht “Forcibly disappeared” apo persona “të zhdukur me dhunë”, është termi i cili ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes së dakorduar.
“Formulimi i saktë në anglisht është ‘Forcibly disappeared’, pra do të thotë ata që janë të zhdukur me dhunë, kështu është termi që është dakorduar, pra edhe atëherë kur do të thuhet persona të pagjetur, të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë. “Forcibly disappeared”, është shprehja në anglisht që është dakorduar në Bruksel”- ka thënë Kurti.
Ndërsa përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas takimit të kryenegociatorëve më 4 prill 2023, kishte deklaruar se në takimin e radhës të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, BE do të mbështesë miratimin e tekstit për marrëveshjen për të pagjeturit. Ky takim është caktuar të mbahet më 2 maj 2023.
“Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të mbledh” – kishte shkruar ai në Twitter.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Bashkimin Evropian për të sqaruar se cili është saktësisht termi i dakorduar mes palëve në Bruksel për personat e zhdukur. Në përgjigjen e BE-së thuhet se palët janë dakorduar për tekstin e deklaratës së personave të zhdukur, përderisa detajet e mëtejshme do të ndahen pas miratimit. Sipas BE-së, teksti i deklaratës për personat e zhdukur do të miratohet në takimin e 2 majit, që do të mbahet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Si hap i parë dhe në përputhje me Aneksin, Palët ranë dakord për tekstin e deklaratës së personave të zhdukur, i cili do të miratohet zyrtarisht nga liderët në takimin e ardhshëm të dialogut të nivelit të lartë. Detaje të mëtejshme do të ndahen pas miratimit” – thuhet në përgjigjen e 14 prillit 2023 të BE-së për KALLXO.com.
Më 18 prill 2023, BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të Zbatimit të saj.
“Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj”- thuhet në njoftimin e BE-së.
Në konventën ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me forcë, termi “Zhdukje me forcë” konsiderohet të jetë arrestimi, ndalimi, rrëmbimi ose çdo formë tjetër e privimit të lirisë nga agjentë të shtetit ose nga persona ose grupe personash që veprojnë me autorizimin, mbështetjen ose pranimin e shtetit.
“‘Zhdukje me forcë’ është konsiderohet të jetë arrestimi, ndalimi, rrëmbimi ose çdo formë tjetër e privimit të lirisë nga agjentë të shtetit ose nga persona ose grupe personash që veprojnë me autorizimin, mbështetjen ose pranimin e shtetit, e përcjellur nga një refuzim për të njohur privimin e lirisë ose fshehjes së fatit ose vendndodhjes së personit të zhdukur, të cilat e vendosin një person të tillë jashtë mbrojtjes së ligjit” – kështu është definuar termi në konventën ndërkombëtare.
Sipas Konventës Ndërkombëtare, asnjë rrethanë e jashtëzakonshme, qoftë një gjendje lufte apo një kërcënim lufte, paqëndrueshmëri e brendshme politike apo ndonjë emergjencë tjetër publike, nuk mund të përdoret si justifikim për zhdukjen e detyruar.
Deklarata për personat e zhdukur është dakorduar pas gati një vit negociata. Pas 18 marsit 2023, takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet më 2 maj 2023 në Bruksel.
Të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë vazhdojnë të jenë mbi 1,600 persona.