Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com / 27.04.2021

BE konfirmon se zbatimi i Deklaratës për personat e zhdukur që u miratua në Bruksel nuk ka filluar ende

Bashkimi Europian ka konfirmuar se Deklarata e përbashkët për personat e zhdukur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan më 02.05.2023 në Bruksel, nuk ka filluar ende të zbatohet.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në një përgjigje për KALLXO.com.

Sipas kësaj Deklarate thuhet se të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë.

Kryetari i Komisionit për të pagjeturit, Andin Hoti, në mbledhjen e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut më 23.04.2024, tha se edhe pse ka dërguar e ridërguar kërkesë te ndërmjetësuesit e BE-së, Josep Borrell e Mirosllav Lajçak, deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje të vetme për zbatimin e saj.

Zëdhënësi i BE-së u shpreh se çështja e personave të zhdukur u përfshi në dialog për të ndihmuar në përmirësimin e bashkëpunimit të Kosovës dhe Serbisë në mbylljen e rasteve të pazgjidhura nga konflikti, i cili është duke vazhduar nën grupin punues për personat e zhdukur të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).

Stano theksoi se Deklarata e miratuar afro një vit më parë nuk është ligjërisht detyruese.

“Megjithatë, është një dokument i rëndësishëm në atë që deklaron angazhimin e palëve për të mos politizuar çështjen e personave të zhdukur dhe për të avancuar bashkëpunimin e tyre duke përfshirë shkëmbimin e informacionit, identifikimin e përbashkët të vendeve të varrimit dhe ndjekjen efektive të gërmimeve”- ka nënvizuar Stano.

Në lidhje me këtë çështje, ai tha se kjo do të ndodhë pasi palët të bien dakord për Termat e Referencës së Komisionit të Përbashkët, i cili parashikohet të monitorojë zbatimin e Deklaratës së përbashkët, në mbështetje të punës së grupit të punës të kryesuar nga KNKK.

Mirëpo, Andin Hoti në mbledhjen e Komisionit tha se janë duke kërkuar nga Serbia që t’i hapë arkivat e Brigadës 37, megjithatë nuk ka ndodhur akoma një gjë e tillë.

Më tej, në përgjigjen për KALLXO.com, Stano deklaroi se BE-ja u kërkon të dyja palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje mbi Termat te Referencës dhe për të rritur përpjekjet e tyre të përbashkëta nën grupin e punës të kryesuar nga KNKK.

Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit Koordinues të Familjeve të të Zhdukurve, në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut tha që më shpejt hyri dinari në dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë e për të pagjeturit çdo gjë ende shkon zvarrë.

“Asnjë Qeveri nuk ka bërë mjaftueshëm për personat e zhdukur. I kemi mundësinë e kushtet, por nuk po bëjmë asgjë. Vuçiqi rrenën po e bën të vërtetë, e ne të vërtetën nuk po e shtyjmë si të vërtetë”- tha Grajçevci.

Mirëpo, Grajçevci tha që një gjë e tillë nuk është në dorën e institucioneve të Kosovës pa bërë trysni faktori ndërkombëtar.

“Ne kemi kërkur nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë trysni mbi Serbinë, por akoma asgjë”- tha Grajçevci, i cili qajti gjatë raportimit të tij, duke thënë se ose duhet të punojnë më shumë ose ta lënë krejt.

Gjatë vitit 2023 ishin zhvarrosur 20 persona të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, 9 prej tyre janë identifikuar dhe u janë dorëzuar familjarëve për rivarrim.

Shumica e lokacioneve, rreth 9 prej tyre, kanë rezultuar me gjetjen e 20 individëve, viktima të luftës. Ndërkaq ishin dërguar 65 mostra për identifikim.

Ndërkaq u gërmua edhe në një lokacion brenda territorit të Serbisë, përkatësisht në Shtaval, Sijenicë.

Çështja e personave të zhdukur ka qenë një ndër çështjet urgjente të aneksit të dakorduar më 18.03.2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën të dyja palët e pranuan në fund të shkurtit, dhe Aneksi për zbatimin e saj nga marsi 2023, është përfshirë në kornizën negociuese të Kosovës dhe Serbisë në procesin e integrimeve europiane.

Të dy palët pranuan se “çdo mospërmbushje e detyrimeve nga Marrëveshja apo Aneksi, do të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative”.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, 1,617 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, 1998-1999.

KALLXO.com në maj të vitit 2023 ka publikuar artikullin në lidhje me miratimin e Deklaratës për personat e zhdukur më 02.05.2023 në Bruksel, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Miratimi i kësaj Deklarate kishte nxitur diskutime në Kosovë mbi termin e përdorur për personat e zhdukur me dhunë.

Deklarata e cila parasheh gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, i referohet termit “forcibly  disappeared”, të përdorur nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) për personat e zhdukur.

Por, në Kosovë është thënë se është dashur të përdoret termi “Enforced Disapperance”, që përdoret nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

KALLXO.com pati kontaktuar me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për t’i pyetur në lidhje me termin e përdorur në Deklaratën për personat e zhdukur.

Zëdhënësja e KNKK-së, Crystal Ashley Wells kishte deklaruar në atë kohë se terminologjia për personat e zhdukur e përdorur nga KNKK është më e gjerë se nocioni i zhdukjes me forcë.

“Terminologjia e personave të zhdukur e përdorur nga KNKK është më e gjerë se nocioni i zhdukjes me forcë” – kishte deklaruar Crystal Ashley Wells, zëdhënëse e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq teksa interpreton termin e përdorur në deklaratën e miratuar nga palët në Bruksel.

Wells kishte thënë se nocioni i ‘personave të zhdukur’, edhe pse nuk është i përcaktuar në të drejtën ndërkombëtare, përmendet në rregulla të ndryshme të së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare (DNH) duke iu referuar gjerësisht personave të raportuar të zhdukur për arsye që lidhen me një konflikt të armatosur, në të cilin përfshihen ata të zhdukur me forcë.

Sipas zëdhënëses së KNKK-së, bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, ish-palët në konflikt kanë detyrimin të japin informacion mbi fatin dhe vendndodhjen e personave që janë zhdukur në territoret nën kontrollin e tyre, duke shtuar se familjet kanë të drejtë të patjetërsueshme të dinë fatin e të dashurve të tyre të zhdukur.

“Terminologjia që përdoret në KNKK për personat e zhdukur (forcibly disappeared) është më e gjerë se nocioni i zhdukjes me forcë, i cili në të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut është përkufizuar si: Privimi nga liria nga autoritetet shtetërore ose nga personat ose grupet e personave që veprojnë me përfshirjen e shtetit, që pasohet nga ndonjë refuzim për ta pranuar privimin nga liria ose nga fshehja e fatit apo vendndodhjes së personit të zhdukur” – deklaroi Wells për KALLXO.com.

Në anën tjetër në konventën ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me forcë, termi  “Zhdukje me forcë” konsiderohet të jetë arrestimi, ndalimi, rrëmbimi ose çdo formë tjetër e privimit të lirisë nga agjentë të shtetit ose nga persona ose grupe personash që veprojnë me autorizimin, mbështetjen ose pranimin e shtetit.

Sipas Konventës Ndërkombëtare, asnjë rrethanë e jashtëzakonshme, qoftë një gjendje lufte apo një kërcënim lufte, paqëndrueshmëri e brendshme politike apo ndonjë emergjencë tjetër publike, nuk mund të përdoret si justifikim për zhdukjen e detyruar.

Çka thuhet në Deklaratën për personat e zhdukur?

Më 02.05.2023, pas miratimit të Deklaratës për personat e zhdukur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Bashkimi Evropian e ka publikuar përmbajtjen e kësaj deklarate.

Sipas kësaj Deklarate të publikuar nga Bashkimi Europian thuhet se të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë.

“Ata janë zotuar gjithashtu të bien dakord për detajet operacionale në takimin e ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, në nivel të kryenegociatorëve”- thuhet mes tjerash në njoftim.

Deklarata e plotë për personat e zhdukur:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur për t’i dhënë fund vuajtjeve të të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme,

Duke pasur parasysh se kjo deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për personat e zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Inkurajimi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve,

Ne angazhohemi së bashku:

  •         Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur;
  •         Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve;
  •         Për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.
  •         Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst;
  •         Të vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur të mbetur;
  •         Për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive, të mundësojë dhe inkurajojë angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
  •         Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur, të krijojnë dhe të punojnë së bashku përmes një komisioni të përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur të mbetur;
  •         Të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes komisionit të përbashkët.
  •         Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë termat e referencës dhe kuadrin e përgjithshëm të Grupit të Punës.
  •         Detajet operacionale do të bien dakord në takimin e ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.