Qeveria e Kosovës ndan mbi 1 milion euro për bujqësinë në Luginën e Preshevës

Në mbledhjen elektronike të Qeverisë së Kosovës që është mbajtur më 24.12.2024 është aprovuar një rregullore, një kërkesë e Ministrisë së Financave dhe është ndarë një shumë parash për t’i mbështetur familjet shqiptare nga Lugina e Preshevës.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 1,108,529 euro për familjet shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që në mënyrë aktive merren me bujqësi.

“1,108,529 Euro mbështetje për të gjitha familjet shqiptare nga Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc qё nё mënyrë aktive merren me bujqësi sipas thirrjes publike të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), përfshirë këtu financimin për programet nga thirrja publike e KKSh-së për avancimin dhe socializmin e fëmijëve me nevoja të veçanta” – thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, më 25.12.2024.

Kurse, Qeveria ka aprovuar Rregulloren për Procedurat dhe Kushtet e Financimit të Organizatave Sportive dhe e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë që u mbajt më 20.12.2024, tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm kanë ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës.

“Uroj që kjo të shërbejë si një shembull edhe për Shqipërinë” – ka thënë Kurti, më 20.12.2024.