Që nga nesër qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë për subvencionimin e izolimit të shtëpive
Që nga nesër, qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë për subvencionim të termoizolimit të mureve të jashtme, termoizolimit të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45% të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro.
Kështu ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në lansimin e thirrjes publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.
Skema, sipas ministres, është e para e institucioneve të Kosovës dhe implementohet nga Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё dhe e mbështetur financiarisht nga Komisioni Evropian.
Në konferencën për media, ministrja Rizvanolli tha se ky projekt ka kosto 10 milionë euro.
“Është kënaqësi e veçantë që të marr pjesën në ngjarjen e sotme, ku po fillojmë zbatimin e masave të efiçiencës të energjisë për qytetarët, nga Fondi i Kosovës për efiçiencë të energjisë, skemë në vlerë 10 milionë euro në përkrahje financiare nga Komisionit Evropian”- ka thënë ajo.
Rizvanolli theksoi se çështja e mbështetjes së qytetarëve në investimet e efiçiencës së energjisë ka qenë prioritet që nga fillimi i mandatit të Qeverisë.
“Që nga fillimi i mandatit tonë, si Qeveri, unë kam potencuar se ne si Qeveri, do t’i përkushtohemi qëndrimit të mbështetjes së qytetarëve në investimet në bazat e efiçiencës të energjisë dhe ne mbetemi të përkushtuar që çështjen e efiçiencës ta trajtojmë me prioritet” – ka shtuar ajo.
Ministrja ka thënë se në vitet e fundit kanë ndërmarrë disa projekte të orientuara në rritjen e efiçiencës së energjisë në vlerë prej 30 milionë euro.
Sipas saj, fokusi ka qenë kryesisht në sektorin publik dhe në sektorin rezidencial, pra të banimit.
“Vitin e kaluar, për herë të parë kemi zbatuar skemën për subvencionim të pajisjeve të ngrohjes përmes së cilës kanë përfituar gati 10 mijë familje si dhe skemën e subvencionimit të faturave të energjisë elektrike për qytetarët që kursejnë, përmes së cilës kanë përfituar mbi 200 mijë familje” – tha ajo.
Ministrja ka thënë që familjet kosovare kanë ulur kërkesën për energji elektrike për 4 për qind pas 5 vitesh.
Më tej, Rizvanolli ka thënë se suksesi i programit të subvencionimit të pajisjeve efiçiente për ngrohje, po ashtu suksesi i Fondit në zbatimin e projekteve të tij, në sektorin publik u ka dhënë besim që këtë vit të zgjerojnë masat.
“Investime këto të mundësuara me përkrahjen e Komisionit Evropian nga fondet e IPA. Është kënaqësi e madhe të shohësh kur puna dhe përkushtimi përkthehet në rezultate. Ne jemi në një fazë ku po kurorëzojmë me lansim të masave një punë më se 8 mujore. Të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë të përfitojnë subvencion prej 45% të vlerës së investimit për t’i rinovuar shtëpitë e tyre, për t’i bërë ato më efiçiente” -ka shtuar Rizvanolli.
Ajo ka dhënë disa detaje për çështjen e aplikimit.
“Qytetarët mund të aplikojnë për renovim të shtëpisë që përfshijnë izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve, dritareve dhe izolimin e kulmit. Me lansimin e këtyre masave qytetarëve do t’u sigurohet një ambient më i ngrohtë në dimër e më i freskët në verë. Ky investim do të ndikojë direkt edhe në faturën e energjisë elektrike për familjet mirëpo edhe për nevojën për subvencione në rast të krizave me të cilat jemi përballur vitet e kaluara” – tha ajo.
Ajo ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka ofruar Qeverisë së Kosovës në përballje me krizën dhe në sektorin e energjisë në përgjithësi. Po ashtu, për bashkëpunimin e për punën e bërë deri më tani ajo e falënderoi Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Ministrja ka njoftuar se javën e ardhshme do të shpallin thirrjet për subvencionim të masave të efiçiencës së energjisë.
“Javën që po vjen ne si Ministri e Ekonomisë gjithashtu me përkrahjen e fondeve IPA nga i njëjti program do të shpallim thirrjet për subvencionim të masave të efiçiençës së energjisë, ku përfshijmë për herë të parë pajisjet efiçiente shtëpiake dhe sistemet solare termike për ngrohje të ujit” – ka shtuar ministrja.
Deri në fund të muajit tha se do të lansojnë edhe thirrjet për pajisjet e ngrohjes dhe sistemet solare ngjashëm si në vitet e kaluara.
Nora Arifi, anëtare e bordit të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, tha se për këtë projekt janë paraparë 10 milionë euro dhe do të përfitojnë mbi 2 mijë familje.
“Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë nga kjo pako i janë besuar 20 milionë euro nga 75 milionë euro për dy nënmasa. Për banesa sociale ku synohen direkt grupet e cenueshme si dhe shtëpitë individuale të banimit në të gjithë Kosovën. Projekti emergjent që po e promovojmë sot ka një buxhet prej 10 milionë euro, nga i cili pritet të përfitojnë rreth 2,000 familje të Kosovës” – tha ajo.
Arifi ka treguar se aplikimi do të realizohet përmes platformës eKosova dhe do të zgjasë 45 ditë si fazë e parë.
Ajo ka inkurajuar të gjithë qytetarët që nga nesër të fillojnë me aplikimin për të qenë përfitues të kësaj mase, e cila thotë se do të ndikojë gjithsesi në përmirësimin e mirëqenies së tyre.
Alessandro Bianciardi nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se kjo paketë e mbështetjes për energji është e mbështetur me një shumë prej 75 milionë eurosh nga BE.
“Impakti i kësaj emergjence të mbështetjes së BE për kosovarët është shumë pozitiv. Tashmë pothuajse 200,000 pronarë shtëpish kanë përfituar nga subvencionimi i BE-së në fatura të rrymës, mes muajve dhjetor 2022 dhe mars 2023” – ka thënë Bianciardi.
Kreshnik Muhaxheri, inxhinier në Fondin e Kosovës, ka dhënë disa sqarime rreth projektit.
Ai ka thënë se implementimi i këtij projektit synon përmirësimin e kursimit të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale.
“Me masat e efiçiencës e energjisë që do të implementohet në kuadër të këtij projekti janë termoizolimi i mureve, masë tjetër është termoizolimi i kulmit, ndërrimi i dritareve dhe dyerve” -ka thënë inxhinieri.
Ai ka theksuar se kriteri bazë për t’u pranuar është që shtëpia të jetë e banueshme dhe në 21 deri në 24 muajt e fundit të ketë konsum të energjisë elektrike.