PZAP tregon se sa parti politike u ankuan pasi nuk u certifikuan nga KQZ

Mbrëmë Këshilli Qendror i Zgjedhjeve votoi për partitë dhe listat e kandidatëve për deputetë të cilat do të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Partitë të cilat nuk u certifikuan mbrëmë nga KQZ, kanë pasur të drejtë ankese në PZAP brenda 24 orëve.

Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka thënë për KALLXO.com se deri më tani kanë arritur shtatë apele nga partitë politike.

“Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës(PDAK), për shkak mos certifikimit të Listës së kandidatëve për deputetë nga ky subjekt politik, për arsye se njëri nga kandidatët ka qenë i dënuar për vepër penale ka dorëzuar apel, Partia e Ashkalive për Integrim ka sjellë tre apele, dy janë në emër të subjektit politik dhe njëra në emër të kandidatit Qazim Rrahmani për shkak të mos certifikimit të tijë në listë për pjesëmarrje në zgjedhje”, thuhet në përgjigjen e Deskut.

Ai tutje ka bërë të ditur se sot edhe PREBK, kandidati për deputet Muhamet Ali Mergjullar, për shkak mos certifikimit të tij për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurti 2021 nga ana e KQZ-së ka dorëzuar apel në PZAP.

“Socialdemokratska Unija , Duda Balje, për shkak të ndodhjes së një kandidate shqiptar në listën e subjektit te saj, si dhe AAK-ja për shkak mos certifikimit të Subjektit dhe kandidatëve për deputet nga ky subjekt politik”, thuhet në përgjigjen e Deskut.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Lista Serbe arritën të certifikohen në bazë të votave të marrura nga antarët e KQZ-së.

Përveç këtyre tre partive KQZ certifikoi edhe partitë e komuniteteve joshumicë në vend, Partia Balliste, Lista SDU, Partia Demokratike e Ashkalinjëve, Lëvizja për Bashkëveprim dhe Lista IRDK janë certifikuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Mirëpo procesin e certifikimit nuk arritën të tejkalojnë Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Nisma Socialdemokrate.

Ibrahim Selmonaj, përfaqësues i AAK-së në KQZ, reagoi pasi partia e tij nuk arriti të certifikohet.

Ai tha se do të ankohen dhe do të bëhen pjesë e zgjedhjeve.

“AAK do të ankohet dhe do te jemi pjesë e zgjedhjeve”, tha Selmonaj.

Reagim pati edhe Eshref Vishi nga Nisma socialdemokrate, i cili tha se partia e tij do të shfrytëzojë të drejtën e ankesës në PZAP.

“Nisma do t’i shfrytezojë të drejtat e ankesës dhe jemi të bindur se PZAP dhe Gjykata Supreme do të marrin vendim të drejta. Ne besojmë dhe shpresojmë që do të jemi pjesë e zgjedhjeve të 14 shkurtit”, potencoi ai.

Ndërsa, Sami Kurtishi përfaqësues i LVV-së në KQZ tha se do të përdorin të gjitha rrugët ligjore.

Cilat parti e lista kaluan certifikimin në KQZ e cilat jo?