Cilat parti e lista kaluan certifikimin në KQZ e cilat jo?

Këshilli Qendror i Zgjedhjeve pak më parë votoi për partitë dhe listat e kandidatëve për deputetë të cilat do të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Lista Serbe arritën të certifikohen në bazë të votave të marrura nga antarët e KQZ-së.

Përveç këtyre tre partive KQZ certifikoi edhe partitë e komuniteteve joshumicë në vend, Partia Balliste, Lista SDU, Partia Demokratike e Ashkalinjëve, Lëvizja për Bashkëveprim dhe Lista IRDK janë certifikuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Mirëpo procesin e certifikimit nuk arritën të tejkalojnë Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Nisma Socialdemokrate.

Ibrahim Selmonaj, përfaqësues i AAK-së në KQZ, reagoi pasi partia e tij nuk arriti të certifikohet.

Ai tha se do të ankohen dhe do të bëhen pjesë e zgjedhjeve.

“AAK do të ankohet dhe do te jemi pjesë e zgjedhjeve”, tha Selmonaj.

Reagim pati edhe Eshref Vishi nga Nisma socialdemokrate, i cili tha se partia e tij do të shfrytëzojë të drejtën e ankesës në PZAP.

“Nisma do t’i shfrytezojë të drejtat e ankesës dhe jemi të bindur se PZAP dhe Gjykata Supreme do të marrin vendim të drejta. Ne besojmë dhe shpresojmë që do të jemi pjesë e zgjedhjeve të 14 shkurtit”, potencoi ai.

Ndërsa, Sami Kurtishi përfaqësues i LVV-së në KQZ tha se do të përdorin të gjitha rrugët ligjore.

Kujtojmë se partitë politike kanë të drejtë ankese në PZAP brenda 24 orëve.