Vota, QNR FOTO-KALLXO.com

PZAP merr vendimin për votat e diasporës por e mban fshehtë

Paneli Zgedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim lidhur me numërimin e mbi 4 mijë votave të diasporës që kishin ardhur në Kosovë pas afatit ligjor, përkatësisht pas 6 tetorit.

Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP, Mul Desku, ka thënë se ky organ ka marr vendimin mbi votat e Diasporës për të cilat Gjykata Supreme e Kosovës tha se duhet një rivendosje nga PZAP.

“Është marrë vendimi por vendimi nuk është publikuar ende. Vendimi besoj se do të publikohet deri kah ora 16:00, orientimisht prej orës 15:00 deri në 16:00 do të publikohet në ueb faqe”, tha Desku për KALLXO.com.

“Është çështje e gjyqtareve se pse nuk është publikuar ende. Unë s’jam pjesë e panelit dhe nuk e di çfarë vendimi është marrë”, deklaroi tutje ai.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga gjyqtarët në panel mirëpo vendimi nuk është zbuluar.

Të premten Gjykata Supreme e Kosovës vendosi pro një ankese të Lëvizjes Vetëvendosje e cila kërkonte numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga Diaspora. Kjo Gjykatë përmes një aktgjykimi vendosi që t’i kthehet PZAP-së për rivendosje.

KALLXO.com ka raportuar edhe mbi efektin e numërimit të këtyre votave mbi koalicionin Nisma-AKR-PD. Siç ka deklaruar anëtari i AKR-së, Fatmir Matoshi, ky numërim do ta përcaktoj përfundimisht kalimin apo jo të pragut të këtij koalicioni.

Koalicioni NISMA-AKR-PD pret PZAP-në për ta mësuar fatin e ‘pragut’

 

www.kallxo.com