Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

PZAP gjobit PDK-në me 16 mijë euro për shkak të gjuhës së përdorur nga mbështetësit e kësaj partie

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Partinë Demokratike të Kosovës me 16 mijë euro për katër Ankesa të cilat i ka parashtruar Lëvizja Vetëvendosje, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.

Në katër rastet Lëvizja Vetëvendosje është ankuar për katër mbështetës të PDK-së, se kanë përdorur gjuhë ofenduese, nxitëse dhe urrejtëse.

Në Ankesën e LVV-së pretendohet se më 02.02.2025 një mbeshtetës i PDK-së ka publikuar në Facebook një tekst ku thuhet: “A po shkoni ej? Hajde ma gjallë, ma gjallë Trullqa… Farë e Keq phuuuu”.

Dy mbështetës të tjerë të PDK-së pretendohet se kanë shpërndarë fotografi me mbishkrimin “VV antikombe proserb, “Hajrije Spikerica”, “Kjo eshtë VV analafabeta funksional”.

Ndërsa një tjetër mbështetës i PDK-së pretendohet se përmes një postimi në Facebook ka shkruar “Qe deshmia se thojsha nuk ka luftu Xhelal Cfeklla”.

Për këto raste PZAP i ka pranuar Ankesën e LVV-së dhe e ka gjobitur PDK-në me 16 mijë euro.

Sipas Vendimit PDK-ja ka afat prej 15 ditësh që ta paguajë gjobën.

Partia Demokratike e Kosovës, e gjobitur në këtë rast, ka thënë se personat e lartpërmendur kanë shpërndarë postime të tilla në rrjetin e tyre, nën petkun personal jo partiak.

“Në përgjigje në Ankesë subjekti politik PDK konsideron se në mungesë të argumentimit të pergjegjësisë subjektive të PDK-së, nga ana e ankuesit është e pamundur që PDK të argumentojë dhe të njëjtit nuk janë mbështetës apo votues të PDK-së, mirëpo PDK garanton se personat të cilat janë objekt i kësaj Ankese nuk janë pjesë e strukturave partiake dhe nuk përfaqësojnë subjektin politik.” – thuhet në Vendimin e PZAP-së.

Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta lexoni në këtë LINK.