Albulena Haxhiu në lasimin e tre moduleve të databazës, foto: Ministria e Drejtësisë/Facebook

Publikohet online baza e të dhënave me rastet e dhunës në familje nga viti 2019 deri në vitin 2023

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se databaza për evidentimin e rasteve të dhunës në familje është avancuar me shtimin e tre moduleve të reja.

Në këto module janë të përfshira tri institucione, dy shërbime dhe një agjenci, të sferës së drejtësisë.

‘’Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka vlerësuar lart përkushtimin në avancimin e kësaj baze të të dhënave, ku janë inkuadruar edhe modulet për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Shërbimin Sprovues të Kosovës, dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas’’ – thuhet në njoftimin e MD-së.

Tri modulet janë lansuar para drejtorëve të të gjitha rajoneve të Policisë.

Përveç kësaj, drejtorët e rajoneve policore kanë pranuar certifikata për 111 policë nga të gjitha rajonet e Kosovës, të cilët kanë kryer trajnimet adekuate, si policë hetues të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

E para e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka falënderuar Bashkimin Evropian për përkrahjen e pa rezervë, UN Women, dhe UNDP-në të cilët kanë mundësuar zhvillimin dhe avancimin e kësaj databaze.

Haxhiu gjithashtu përgjatë kësaj ngjarje ka bërë lansimin në ueb-faqe të “Statistikat e Databazës”, ku do të ofrohen të dhëna të hapura në çdo tre muaj për rastet e dhunës në familje.

Linkun e kësaj baze të të dhënave mund ta gjeni KËTU.

Në këtë bazë të të dhënave janë publikuar statistikat e numrit të rasteve të dhunës në familje të raportuara në polici nga janari deri në tetor të vitit 2023, viktimat e dhunës në familje të kategorizuara sipas gjinisë, sipas nacionaliteti, sipas moshës, numri i grave dhe fëmijëve të strehuar, viktima të vrara të dhunës në familje dhe statistikat për shqiptimin e urdhrave për mbrojtje të përkohshme emergjente.

Përpos të dhënave të vitit 2023, në këtë bazë të të dhënave që tashmë është e qasshme në faqen e Ministrisë së Drejtësisë janë publikuar të dhënat edhe për vitet 2022, 2021, 2020 dhe 2019.

Ky sistem është krijuar që të funksionojë si bazë e integruar e të dhënave nga 6 institucione që ofrojnë shërbime në rastet e dhunës në familje, siç janë: Policia, Prokuroritë, Gjykatat, Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e viktimave dhe Strehimoret.

Me qëllim të evidentimit të rasteve të dhunës, nga marsi i vitit 2020, Ministria e Drejtësisë ka në pronësi databazën për evidentimin e rasteve të dhunës në familje, e cila në të kaluarën është mbështetur nga zyra e BE-së në Kosovë, dhe implementuar nga zyra e UN Women në Kosovë.