Prokuroria: Nuk do të thërrasim të gjithë dëshmitarët që paraqiten në rastin e Haradinajt dhe Gucatit

Prokuroria e Specializuar në Hagë që po i akuzon Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të drejtësisë, ka thënë sot se i kanë përmbushur detyrat sa i përket materialeve për aktakuzë.

Në seancën e Gjykatës Speciale për ecurinë e çështjes, prokurorja Valeria Bolicci tha se nuk kanë detyrim të intervistojnë të gjithë dëshmitarët në këtë rast.

 

“Prokuroria nuk ka asnjë detyrim që të intervistojë të gjithë dëshmitarët që paraqiten dhe ajo i ka përmbushur të gjitha detyrimet e veta sa i përket gjetjes së materialeve”, ka thënë prokurorja.

Ajo ka shtuar se Prokuroria synon që të ftojë disa dëshmitarë për të dëshmuar, deklaratat e të cilëve janë të njohura.

Po ashtu e njëjta ka thënë se parashtrimet e bëra nga mbrojtja e Haradinajt sa i përket materialeve, nuk janë të bazuara sa duhet.

Ndërsa mbrojtja e Hysni Gucatit avokati, Jonathan Elystan Rees tha se pret se do ketë vonesa të tepruara sa i përket materialeve dhe dëshmitarëve që janë pjesë e pakove 1, 2 dhe 3.

Gjithashtu ai shtoi se qasja e Prokurorisë është përçmuese dhe se “mbrojtja ka pritur se do të ftohen dëshmitarët që janë frikësuar”.

Po ashtu dhe mbrojtja e Nasim Haradinajt, Toby Cadman mbështeti parashtrimet e mbrojtjes së Gucatit.

“Përse Prokuroria nuk paraqet një listë, që të ia dorëzojë mbrojtjes?”, tha ai.

Haradinaj po akuzohet bashkë me kryetarin e OVL- UÇK-së, Hysni Gucatin për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Haradinaj dhe Gucati kishin dalë para dhomave të Specializuara në kohën kur ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë.

Ata po qëndrojnë në masën e paraburgimit që  nga koha kur ishin arrestuar në Kosovë.

Sipas aktakuzës në prill dhe shtator 2020, ata bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik, në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik

Sipas dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Aktakuza kundër tyre ishte bërë publike me 14 dhjetor të këtij viti.

Gucati dhe Haradinaj ishin arrestuar gjatë muajit shtator në zyrat e OVL-UÇK-së dhe ishin transferuar në Hagë.

Specialja mban seancën e radhës ndaj Gucatit e Haradinajt