Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Gjykata Speciale konfirmon aktakuzën ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Gjykata Speciale ka njoftuar se ka konfirmuar aktakuzën ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka konfirmuar aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Tutje në njoftim thuhet se Gucati dhe Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, Gucati dhe Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thueht në njoftim.

Më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Paraqitja e parë e Haradinajt si i dyshuar u mbajt më 29 shtator 2020, ndërsa paraqitja e parë e Gucatit si i dyshuar u mbajt më 1 tetor 2020.

“Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe tani fillon faza e procedurës paraprake të çështjes së tyre, duke nisur me paraqitjet e tyre të para”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Sipas njoftimit, paraqitja e parë e Haradinajt si i akuzuar do të mbahet të martën, 15 dhjetor 2020, në orën 15:00.

Ndërsa, paraqitja e parë e Gucatit si i akuzuar do të mbahet të premten, 18 dhjetor, në orën 11:00.

“Paraqitjet e parë do të mbahen në seanca publike dhe mund të përcillen përmes transmetimit në Internet në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim me një vonesë të shkurtër. Seancat mund të përcillen edhe përmes pranisë fizike në ndërtesën e Dhomave të Specializuara në Hagë. Sidoqoftë, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së virusit Kovid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për mediat do të jetë shumë i kufizuar dhe është i nevojshëm regjistrimi paraprak. Më shumë informacion për regjistrimin paraprak mund të gjendet në: https://www.scp-ks.org/sq/calendar”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com kishte raportuar për arresitmin e Haradinajt dhe Gucatit.

Nisen për në Hagë të arrestuarit e sotëm, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj