Arratisja e Millan Radoiçiq nga pika kufitare në Bërnjak

Prokuroria në Beograd tregon se për çfarë po dyshohet Millan Radoiçiq

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka njoftuar se ka intervistuar Millan Radoiçiqin, për të cilin ka thënë se po dyshohet se ka kryer veprat penale – prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paautorizuar të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese,  dhe – krime të rënda kundër të sigurisë së përgjithshme.

Nga ana e Prokurorisë është thënë se gjatë seancës i dyshuari ka mohuar kryerjen e veprave penale që i vihen në barrë.

“Pas seancës, Prokuroria i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të caktohet masa e paraburgimit për të dyshuarin për shkak të rrezikut të arratisjes” – thuhet në njoftim.

Gjithashtu është thënë se pjesë e hetimeve janë disa persona, tani për tani të panjohur, të cilët dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Prokuroria tutje ka thënë se Radoiçiq akuzohet se nga janari 2023 deri më 24 shtator ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas njoftimit, armët më pas janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit, më së shpeshti në relacionin Bubanj Potok – Vërçin.

“Më pas i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në ndërtesa dhe pyje” – tha Prokuroria.

Me këto veprime, Prokuroria ka thënë se bashkë me një grup personash të panjohur, me veprim të përbashkët dhe një veprim përgjithësisht të rrezikshëm më 24 shtator kanë rrezikuar jetën e njerëzve në Banjskë.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka konfirmuar zyrtarisht arrestimin e njeriut kryesor të organizimit të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Millan Radoiçiq.

Në njoftimin e publikuar nga MBP e Serbisë thuhet se Radoiçiq është arrestuar dhe u dërgua në ndalim për 48 orë.

“Më 3 tetor 2023, punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Millan Radoiçiqit, i cili është ndaluar deri në 48 orë” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Radoiçiq është i kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë ndërsa për rastin e fundit – atë të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, institucionet kosovare kanë kërkuar nga Beogradi edhe dorëzimin e tij dhe personave të tjerë që morën pjesë në grupin terrorist.

Kjo pasi që Radoiçiq në orët e pasdites së 24 shtatorit 2023 u arratis nga Banjska për në Serbi gjatë kundërsulmit të Policisë së Kosovës kundër grupit terrorist.

Millan Radoiçiq ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa ngjarjeve të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter i Policisë e u plagos një tjetër.

Letrën e Radoiçiqit e lexoi para mediave avokati i tij, Goran Petronijeviq.

“Njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, nga Kurti e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time aty” – thuhet në letrën e Radoiçiqit.

“Kthimi im në veri nuk kishte të bënte me punën time në veri me Listën Serbe, andaj jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe” – thuhet në letrën e Radoiçiq.

Avokati Petronijeviq tha se nuk ka arritur që të shohë pamjet që janë transmetuar se klienti i tij ka qenë pjesë e grupit që mori pjesë në sulmin e 24 shtatorit.

Por ajo çka konfirmoi avokati Petronijeviq është se Millan Radoiçiq nuk ka qenë i plagosur dhe nuk është trajtuar në aspektin shëndetësor.

“Unë nuk mund të gjykoj asgjë, sepse këtë incizim fatkeqësisht as nuk e kam parë, për sa i përket gjendjes shëndetësore, as nuk ka qenë i plagosur as nuk ka qenë i trajtuar” – tha avokati Petronijeviq.

Avokati i Radoiçiqit nuk po pranoi të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve të cilat lidhen me armatimin dhe organizimin e sulmit terrorist të mbi 30 personave në Banjskë të Zveçanit.

Në këtë sulm terrorist u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Ministria e Brendshme në Beograd: Millan Radoiçiq u ndalua për 48 orë