Arratisja e Millan Radoiçiq nga pika kufitare në Bërnjak

Ministria e Brendshme në Beograd: Millan Radoiçiq u ndalua për 48 orë

Ministria e Brendshme e Beogradit ka bërë zyrtare arrestimin e njeriut kryesor të organizimit të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Komunës së Zveçanit, Millan Radoiçiq.

Në njoftimin e publikuar nga MUP thuhet se Radoiçiq është arrestuar dhe u dërgua në ndalim për 48 orë.

“Më 3 tetor 2023, punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Milan Radoiçiqit, i cili është ndaluar deri në 48 orë” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Radoiçiq sipas njoftimit është dërguar në prokurorinë e lartë të Beogradit me kallëzim penal.

Radoiçiq është i kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë ndërsa për rastin e fundit atë të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, institucionet kosovare kanë kërkuar nga Beogradi edhe dorëzimin e tij dhe personave të tjerë që morën pjesë në grupin terrorist.

Kjo pasi që Radoiçiq në orët e pasdites së 24 shtatorit 2023 u arratis nga Banjska për në Serbi gjatë kundërsulmit që grupi terrorist pati nga Policia e Kosovës.

Milan Radoiçiq ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Basnjkë të Komunës së Zveçanit, ku u vra një rreshter i policisë e u plagos një tjetër.

Letrën e Radoiçiq e lexoi para mediave, avokati i tij Goran Petronijeviq.

“Njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, nga Kurti e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time aty” – thuhet në letrën e Radoiçiqit.

“Kthimi im në veri nuk kishte të bënte me punën time në veri me Listën Serbe, andaj jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe” – thuhet në letrën e Radojiçiq.

Avokati Petronijeviq tha se nuk ka arritur që të shoh pamjet që janë transmetuar se klienti i tij ka qenë pjesë e grupit që mori pjesë në sulmin e 24 shtatorit.

Por ajo çka konfirmoi avokati Petronijeviq është se Milan Radojiçiq nuk ka qenë i plagosur dhe nuk është trajtuar në aspektin shëndetësor.

“Unë nuk mund të gjykoj asgjë, sepse këtë incizim fatkeqësisht as nuk e kam parë, për sa i përket gjendjes shëndetësore, as nuk ka qenë i plagosur as nuk ka qenë i trajtuar” – tha avokati Petronijeviq.

Avokati i Radojiçiq nuk po pranon të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve të cilat lidhen me armatimin dhe organizimin e sulmit terrorist të mbi 30 personave në Banjskë të Zvecanit.

Radojiçiq ka shkruar se meqenëse aty nuk ishte në kuadër të Listës Serbe jep dorëheqje nga pozita e tij në këtë parti politike që funksionon në Kosovë.

“Jap dorëheqje të parevokueshme në vendin e nënkryetarit të Listës Serbe. Jam i gatshëm që në lidhje me këto ngjarje tu përgjigjem ftesës së organeve të Serbisë. Rroftë Serbia. Millan Radojiçiq”- kjo është deklarata e tij.

Në këtë sulm terrorist u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Mediat serbe: Arrestohet Millan Radoiçiq