Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Prokuroria jep detaje për vdekjen e punëtorit në një seperacion zhavorri në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e 43-vjeçarit në vendin e punës, në një seperacion zhavorri, në fshatin Gllaviçicë të Pejës.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë së bashku me hetuesit rajonalë, Inspektoratin e Punës dhe njësitë e tjera relevante.

Nikçi tha se viktima në Spitalin Rajonal të Pejës ka shkuar pa shenja jete.

“Janë dalë dy prokurorë në vendin e ngjarjes, bashkë me hetimet rajonale, inspektoratin e punës dhe të gjitha njësitë relevante. Në vendin e ngjarjes janë duke u kryer të gjitha hetimet për zbulimin e rrethanave të vdekjes së të ndjerit, i cili ka shkuar pa shenja jete në Spitalin e Pejës”- ka deklaruar Nikçi më 29.04.2026.

Sipas Prokurorisë, hetimet po zhvillohen për të sqaruar rrethanat se si ka ndodhur rasti dhe nëse ka elemente të përgjegjësisë penale apo shkelje të sigurisë në punë.

Dyshohet se 43-vjeçari ishte lënduar në një seperacion, vend ku bëhet përpunimi i zhavorrit, teksa ishte duke i lyer disa makineri. Deri më tani nuk ka persona të ndaluar për këtë rast.

Vdekjen e 43-vjeçarit në vendin e punës e kishte kishte konfirmuar fillimisht Policia e Pejës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka deklaruar se rasti ka ndodhur derisa viktima ishte duke punuar.

“Në fshatin Gllaviçicë, ka ndodhur rasti. Një person duke punuar është lënduar në vendin e punës, është dërgu në spital ku edhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij”- ka thënë Gashi më 29.04.2026.

Javët e fundit janë regjistruar disa raste të vdekjes së punëtorëve në vendet e punës. Kjo ka nxitur edhe Inspektoratin Qendror të Punës për të bërë inspektime, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Më 24.04.2026, një person ishte lënduar në kokë në një shtëpi private në fshatin Bibaj të Ferizajt, pasi dyshohet se ishte goditur nga skelet.

Kurse, më 23.04.2026, një 29-vjeçar ka vdekur në Gjakovë pasi ka rënë nga një ndërtesë e lartë derisa ishte duke punuar. Në lidhje me këtë rast një person është dërguar në mbajtje.

Më 15.04.2026, një punëtor rreth 48-vjeç ka vdekur pasi dyshohet se është lënduar në një kompani në zonën industriale në Shtime.

Më 03.04.2026, një punëtor 44-vjeçar nuk i ka mbijetuar lëndimeve të rënda që dyshohet se i mori më 28.03.2026, pasi ra nga kati i parë i një ndërtese në Ferizaj.

Ndërkaq Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar më 29.04.2026 se në bazë të vendimit të ministrit Andin Hoti, ka zhvilluar një aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë në gjithë Kosovën. Kjo ka qenë dita e 12-të e inspektimit. Në këtë 48-orësh fokus i inspektimit ka qenë sektori i ndërtimtarisë andaj edhe realizimi i inspektimeve është bërë në 100% në këtë sektor.

Në 48 orët e fundit, sipas të dhënave të Inspektoratit janë realizuar 46 inspektime, 37 ri-inspektime, në 17 raste janë ndaluar punimet dhe janë lëshuar 20 vërejtje.

Inspektorati ka sqaruar se numri i ndalimeve të punimeve nënkupton automatikisht edhe numrin e kërkesave për kundërvajtje, ndërsa në fund të aksionit të gjitha subjektet me ndalim të punimeve do të procedohen në Gjykatat për Kundërvajtje.

Po ashtu, është bërë e ditur se riinspektimet do të vazhdojnë në ditët në vijim, sipas afateve të caktuara nga inspektorët, ndërsa eliminimi i parregullsive nënkupton veprimet që subjektet duhet t’i ndërmarrin për përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN ka publikuar disa raporte për të drejtat e punëtorëve dhe trajtimit të rasteve të tyre në vendin e punës.

Më 14.12.2023, BIRN ka prezantuar raportin mbi gjetjet e të drejtave të punës dhe sigurisë në punë për punëtorët për vitin 2023, të titulluar “Viktimat e padrejtësisë”.

Të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht tek siguria në punë pasi aksidentet me fatalitet në vend vazhdojnë të rriten.

“Gjatë viteve 2021 – 2023, 33 punëtorë kanë vdekur nga 763 aksidente në punë. Statistikat tregojnë që vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë vdekur 9 punëtorë. Kjo tregon një rritje të rasteve të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në vendin e punës” – thuhet në raportin “Viktimat e padrejtësisë”.

Më 24.11.2023, BIRN publikoi raportin “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura”.

Mostra e marrë për këtë hulumtim ishte me 50 biznese dhe 20 punëtorë me qëllim që të analizohej niveli i zbatimit të Ligjit të Punës, përfshirë këtu respektimin e kontratave nga bizneset, të rregulloreve të punësimit, punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe nivelin e njohurive mbi rregullat e sigurisë në punë.

Kurse, më 24.01.2023, u publikua raporti “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtoreve nga Inspektorati i Punës dhe Gjyqësori”, pas një hulumtimi njëvjeçar nga BIRN dhe Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

Nga gjetjet e këtij raporti janë: pothuajse çdo muaj, në Kosovë një person ka vdekur në vendin e punës, ndërsa vetëm 1.5% e bizneseve kanë kryer obligimin për vlerësimin e rrezikut në vendin e punës.

Të dhënat e Inspektoratit të Punës treguan se gjatë vitit 2021 në 10,162 inspektime u hasën 1,459 punëtorë pa kontrata pune dhe 433 punëtorë të padeklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Vdes një person në Pejë, dyshohet se u lëndua në vendin e punës