Projektligji që mbanë ‘mister’ numrin e ministrive  

9 muaj pas ardhjes në pushtet, qeveria Kurti ka miratuar projektligjin për Qeverinë. Ky projektligj pritet të rregullojë organizimin dhe funksionimin e Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri.

Numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave në të kaluarën ka qenë shpesh herë temë diskutimi për faktin se si kjo çështje nuk rregullohet me ligj.

Projektligji për qeverinë i miratuar së fundi nga qeveria Kurti nuk parasheh përcaktimin e numrit të zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe të këshilltarëve politik në kabinetin qeveritar.

Mirëpo sipas projektligjit, kjo mund të bëhet ndaras përmes një rregullore të veçantë që mund të miratohet në qeveri.

“Numri i anëtarëve të Qeverisë dhe të emëruarve të tyre, si dhe fushat e përgjegjësisë administrative të ministrive përcaktohen me rregullore të propozuar nga Zyra e Kryeministrit dhe të miratuar nga Qeveria”, thuhet në projektligj.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në zyrën për media të qeverisë së Kosovës, për të marrë informacione se deri ku kanë shkuar punët me këtë rregullore si dhe çfarë parasheh kjo rregullore.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë përcaktimi i numrit të ministrive në projektligjin për Qeverinë do të çonte në shpërputhje me Kushtetutën.

“Përcaktimi i numrit të ministrive në projektligjin për Qeverinë do të çonte në shpërputhje me Kushtetutën. Të njëjtën gjë e konfirmon edhe Opinioni i Komisionit të Venedikut. Pas miratimit në Kuvend, Qeveria do të procedojë me përmbushjen e obligimeve të veta ligjore dhe do të hartojë të gjitha aktet nënligjore që parasheh ky Ligj”, ka thënë ai.

Qeveria Haradinaj kishte përgatitur një projektligj të tillë për Qeverinë, në të cilën përcaktohej paraprakisht numri i ministrive që do të ketë qeveria dhe numrin e zëvendësministrave e këshilltarëve politik në kabinetet qeveritare.

Neni 4 i projektligjit për qeverinë i përgatitur nga Qeveria Haradinaj në atë kohë, kishte paraparë përbërjen e qeverisë, duke filluar nga numri i ministrive, ministrave, zëvendësministrave si dhe përfshirjen e minoriteteve në përputhje më Kushtetutën, mirëpo nuk përmendej fare përfshirja e grave.

Sipas atij projektligji, qeveritë e Kosovës do të kishin maksimumi 17 ministri apo 15 ministri plus dy varësisht nga koalicioni.

Mirëpo iniciativa e asaj kohe ishte kthyer mbrapsht, pas interpretimit të Komisionit të Venedikut.

Komisioni i Venecias kishte rekomanduar që të shmanget përdorimi i numrit të limituar për ministritë  duke theksuar se Qeveria duhet të ofroj arsye të argumentuara se përse duhet të rritet numri i ministrive.

Komisioni i Venecias iu është referuar nenit 96, pika 2 të Kushtetutës së Kosovës, i cili thotë se “ Numri i anëtarëve të Qeverisë përcaktohet me aktin e brendshëm të saj”.

Sipas Komisionit të Venecias, nëse ky nen interpretohet në atë mënyrë që e përjashton Kuvendin nga mundësia për të vendosur për numrin e ministrive dhe kjo mbetet në fuqinë e Qeverisë, atëherë kërkohet që Projektligji për Qeverinë të mos përmend numrin maksimal të ministrive.

Komisioni i Venecias po ashtu kishte kërkuar që në Ligjin për Qeverinë duhet marrë parasysh respektimin e barazisë gjinore, siç është e paraparë me Kushtetutën e Kosovës, traktatet e OKB-së, traktatet e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut si dhe rekomandimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Sipas këtij opinioni, përderisa Kosova nuk është palë e këtyre traktateve, këto rekomandime janë të pasqyruar në Kushtetutën e Kosovës dhe duhet që të përfshihen në ligjet në fuqi.

“Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore”, paracaktohet në nenin 7, paragrafin 2 të Kushtetutës së Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ‘Ministritë dhe organet e tjera ekzekutive themelohen, sipas nevojës, për kryerjen e funksioneve brenda kompetencave të Qeverisë. Numri i anëtarëve të Qeverisë përcaktohet me aktin e brendshëm të saj’.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha për KALLXO.com se ‘Qeveria do të vazhdojë funksionimin në bazë të strukturës aktuale të ministrive e kabinetit qeveritar, sipas akteve nënligjore në fuqi’.

Në bazë të rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive, qeveria ka 15 ministri, por nuk është i përcaktuar numri se deri në sa ministra e zëvendësministra mund të ketë një qeveri.

Qeveria Kurti 2, nga 15 ministri, vetëm 5 udhëhiqen nga gratë. Poashtu janë 2 zëvendëskryeministre, Donika Gërballa dhe Emilia Rexhepi.

Projektligji për qeverinë i miratuar së fundi në qeveri pritet të përcaktoj edhe përfaqësimin e barabartë gjinore në pajtim me Kushtetutën si dhe përfaqësimin e komuniteteve në përbërjen e qeverisë.

Përveç kësaj, projektligji për qeverinë pritet të përcaktoj edhe mënyrën sesi emërohen këshilltarët politik, si dhe këshilltarët e jashtëm politik, por pa treguar numrin e tyre.

“Këshilltari politik emërohet me vendim drejtpërdrejt nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministri, (në tekstin e mëtejmë: eprori) dhe i pushon mandati me përfundimin e mandatit të eprorit të tyre, nëse kjo marrëdhënie e punës nuk ndërpritet më herët”, thuhet në projektligj.

Sipas projektligjit qeveria po ashtu mund të themelojë trupa qeveritare për të ndihmuar dhe lehtësuar punën e saj.

“Themelimi i trupave qeveritare, përveç në rastet kur kërkohet ose autorizohet me ligj, arsyetohet me plotësimin e kritereve të domosdoshmërisë, duke përfshirë në veçanti programin e Qeverisë dhe kompleksitetin e tij, efikasitetin ekonomik, efektivitetin, vlerën për para, parandalimin e tepricës dhe proporcionalitetin”, thuhet në projektligj.

Me projektligjin e ri nuk parashihet emërimi i ministrave pa portofol si dhe i koordinatorëve nacional.

Pozita e koordinatorit nacional në Kosovë, ishte mbajtur në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Haradinaj gjatë mandatit të tij, kishte emëruar disa koordinator nacional paga e së cilëve ishte e njejtë me një të ministri.

Në mes tyre kishte qenë edhe Koordinatorit Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti.

Të njëjtën fushë e kishte udhëhequr edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Poashtu, një pozitë e ngjashme ishe shpikur edhe për pozitën e Koordinatorit për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit. Në këtë pozitë ishte emëruar djali i ish presidentit Ibrahim Rugova, Mendim Rugova.

Të njëjtat çështje ishin menaxhuar edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në atë kohë.

Qeveria Kurti nuk është qeveria e parë që ka miratuar projektligj për qeverinë, mirëpo nëse ky projektligj votohet në Kuvend, atëherë qeveria Kurti do të jetë e para me ligj për qeverinë.