Komisioni parlamentar ia largon një pikë Projektligjit për Qeverinë në lidhje me mandatin e anëtarit të qeverisë

Me 5 vota për dhe 2 abstenime, Komisioni për Administratë Publike ka votuar amendamentin e Komisionit për Legjislacion për largimin e pikës 1.9 nga neni 29 për Ligjin për Qeverinë.

Kryetarja e Komisionit, Doarsa Kica- Xhelili tha që kjo pikë bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, prandaj edhe propozoi largimin.

“Komisioni për legjislacion vlerëson që ky paragraf nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky paragraf duhet të tërhiqet sepse prek tagrin e qeverisë”, tha ajo.

Neni 19 i Projektligjit për Qeverinë rregullon përfundimin e mandatit të anëtarit të qeverisë, ndërsa pika 1.9 thotë se ‘në mënyrë të suksesshme votohet nga Kuvendi mocioni individual i mosbesimit ndaj tij’.

Në komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal në maj janë votuar 10 amendamente shtesë.

Më 15 shkurt, në lexim të parë ky komision i ka dhënë dritën e gjelbër këtij projektligji.

Në fund të dhjetorit, Qeveria Kurti ka miratuar Projektligjin për Qeverinë.

Ndërsa më 16 mars, ky projektligj ka kaluar në lexim të parë në Kuvend.

Ky projektligj pritet të rregullojë organizimin dhe funksionimin e Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri.

Projektligji për qeverinë, ndryshimet që pësoi në Komisionin për Administratë Publike