Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, 15 shkurt 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla nuk shkon në Komisionin parlamentar për ta prezantuar Projektligjin për Qeverinë, e kritikon opozita

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla nuk po merr pjesë në mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, për të paraqitur  Projektligjin për Qeverinë e Kosovës. Kjo gjë është kritikuar nga ana e anëtarëve të Komisionit nga opozita.

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK- së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se është shqetësuese që ministri Sveçla nuk ka ardhur ta prezantojë Projekligjin për qeverinë.

“Ne jemi mësuar që të kemi bashkëbisedim me ministra përgjegjës. Në këtë drejtim po shihet nga fillimi çfarë serioziteti ka qeveria Kurti karshi komisioneve parlamentare. Për mendimin tim pa qenë ministri i punëve te brendshme nuk kisha diskutu për këtë çështje”, tha ai.

Për ta prezantuar Projekligjin ka ardhur Bardhyl Dobra, zëvëndësministër i Punëve të Brendshme.

Doarsa Kica-Xhelili, kryetare e Komisionit nga LVV-ja, tha që mungesa e ministrave gjatë prezantimit të Projektligjeve është praktikë e të gjitha qeverive.

“Mua më është thënë që pak a shumë ka qenë kështu, për shkak të angazhimeve që i kanë ministrat. Kjo mund të paraqitet si shqetësim në përgjithësi dhe jo vetëm në këtë qeveri. Jam dakord që do të ishte mirë të jemi këtu”, tha ajo.

Edhe anëtari i Komisionit nga radhët e LDK-së, Agim Veliu tha që është e papranueshme mungesa e ministrit Sevçla.

Në këtë mbledhje pritet të diskutohet Projekligji për qeverinë.

Gjatë disktutimeve, Bardhyl Dobra, zëvendësministëri i Punëve të Brendshme tha se i kanë shqyrtuar me kujdes rekomandimet për këtë projektligj.

“Gjatë hartimit janë bërë hulumtime dhe konsultime të gjera nga natyra e kësaj fushe. Janë shqyrtuar me kujdes të gjitha komentet dhe sugjerimet e dhëna. Fakti që jemi këtu besoj që është me rëndësi që të diskutohet substanca”, tha ai.

Ndërsa, Mentor Borovci, drejtor i Zyrës Ligjore të ZKM-së Projektligji ka kaluar nëpër një proces të gjerë.

“Projekligji është punuar gjatë në të, sidomos në vitet e fundit ka pasur një dinamik, nga fakti që ka qenë e shtruar edhe në diskutim publik çështja e anëtarëve, kompetencat e qeverisë në dorëheqje. Projektligji ka kaluar nëpër një proces të gjerë, ku kanë qenë të përfshirë shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, ne kemi shkuar edhe në fakultetin juridik”, tha ai.

“Ne e dërguam në komisionin e Venedikut projektligjin, është diskutu gjerësisht përmbajta dhe ne në dhjetor kemi pranuar opinionin ku ka adresuar nevojën që neni 96 paragrafi 2 nuk lejon përcaktimin me ligj të anëtarëve te qeverisë. Ka pas edhe rekomandime te pjesa e qeverisë në dorëheqje, dhe kjo është bërë. Versioni i miratuar në qeveri është pasqyrim i rrugëtimit të gjatë”, shtoi Borovci.

Në fund të dhjetorit, Qeveria Kurti ka miratuar projekligjin për qeverinë.

Ky projektligj pritet të rregullojë organizimin dhe funksionimin e Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri.

Projektligji që mbanë ‘mister’ numrin e ministrive