Foto: ZKM

Zyra e Kryeministrit deklarohet për opinionin e Komisionit të Venecias rreth Projektligjit për qeverinë

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ka bërë të ditur se ka pranuar dhe mirëpritur Opinionin e Komisionit të Venedikut mbi Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ZKM-ja ka theksuar se  Zyra Ligjore shumë shpejtë do të punojë në draftin e Projektligjit dhe do t’i përfshijë të gjitha komentet dhe rekomandimet e paraqitura në opinionin në fjalë.

“Pas përfshirjes të të gjitha komenteve, Projektligji do të përcillet në mbledhje të Qeverisë për shqyrtim dhe miratim. Në rast se Projektligji do të miratohet në mbledhje të Qeverisë atëherë do të procedohet tutje në Kuvend për shqyrtim dhe miratim”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Qeveria e Kosovës në gusht të këtij viti e kishte finalizuar Projektligjin për Qeverinë, mirëpo për shkak të mundësisë për shkelje Kushtetuese, ky projektligj ishte dërguar në Komision të Venecias për opinion.

Ky Komision ka dhënë opinionin rreth këtij projektligji. KALLXO.com ka siguruar dokumentin i cili është publikuar më 14 dhjetor 2020.

Komisioni i Venecias mes tjerash ka vlerësuar se Kosova po i nënshtrohet një periudhe të paqëndrueshmërie qeveritare që përfshinë tensione midis pozitave të Kreut të shtetit dhe Kryeministrit, koalicioneve të paqëndrueshme parlamentare dhe një situate veçanërisht të vështirë gjeopolitike.

Projektligji për Qeverinë, ky është opinioni i Komisionit të Venecias për kompetencat e qeverisë në detyrë

Komisioni i Venecias: Në vend të limitit të numrit të ministrive, të caktohen kritere për rritjen e numrit