Komisioni i Venecias kërkon barazi gjinore në Ligjin për Qeverinë

Qeveria e Kosovës në gusht të këtij viti e kishte finalizuar Projektligjin për Qeverinë, mirëpo për shkak të mundësisë për shkelje Kushtetuese, ky projektligj ishte dërguar në Komision të Venecias për opinion.

Ky Komision ka dhënë opinionin rreth këtij projektligji. KALLXO.com ka siguruar dokumentin i cili është publikuar më 14 dhjetor 2020.

Në këtë dokument është dhënë opinion edhe lidhur me kompetencat e qeverisë në largim duke u dhënë edhe rekomandime për këtë ligj.

Komisioni i Venecias në këtë dokument ka rekomanduar që në ligjin e ri, përkatësisht në nenin 4 të këtij ligji të përfshihet edhe barazia gjinore.

Në opinionin e tij, komisioni ka elaboruar një sërë traktatesh të cilat ndalojnë diskrimimin e grave, duke theksuar se edhe Kushtetuta e Kosovës kërkon që të ketë barazi gjinore.

“Fakt është që këto shqetësime pasqyrohen në Kushtetutën e Kosovës nën Nenin 7.2 i cili thotë se “Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si një vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, duke siguruar mundësi të barabarta për pjesëmarrjen e grave dhe burrave në politikën, fusha ekonomike, sociale, kulturore dhe fusha të tjera të jetës shoqërore”, thuhet në raport.

Neni 4 i projektligjit për qeverinë ka paraparë përbërjen e qeverisë, duke filluar nga numri i ministrive, ministrave, zëvendësministrave si dhe përfshirjen e minoriteteve në përputhje më Kushtetutën, mirëpo në këtë nenë nuk përmendet fare përfshirja e grave.

Në raportin e tij, ndër të tjera komisioni ka vlerësuar se Kosova po i nënshtrohet një periudhe të paqëndrueshmërie qeveritare që përfshinë tensione midis pozitave të Kreut të shtetit dhe Kryeministrit, koalicioneve të paqëndrueshme parlamentare dhe një situate veçanërisht të vështirë gjeopolitike.

 

Projektligji për Qeverinë, ky është opinioni i Komisionit të Venecias për kompetencat e qeverisë në detyrë

Komisioni i Venecias: Në vend të limitit të numrit të ministrive, të caktohen kritere për rritjen e numrit