Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, 15 shkurt 2022. Foto: KALLXO.com

Projektligji për Qeverinë, synohet që përbërja e kabinetit qeveritar të respektojë barazinë gjinore

Qeveria e Kosovës do të sunojë që të respektohet barazia gjinore në përbërjen e kabinetit qeveritar, në Projektligjin për Qeverinë.

Kështu u tha në mbledhjen e sotme të Komisionit për Administratë Publike, ku me 8 vota për asnjë kundër, asnjë abstenim, ky Komision i ka dhënë dritën e gjelbër Projektligjit për Qeverinë e Kosovës.

Ky projektligj pritet të rregullojë organizimin dhe funksionimin e Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri.

Bardhyl Dobra, zëvëndësministër i Punëve të Brendshme tha Ligji për Barazi Gjinore rekomadon emërimet.

“Ligji për Barazi gjinore rekomandohet 50/50, ne synojmë që ta shtymë përpara këtë proces”, tha ai.

Ndërkaq, Mentor Borovci, drejtor i zyës  ligjore të ZKM-së tha se kjo cështje është kërkuar të adresohet edhe nga Komisioni i Venedikut.

“Te projektligji për qeverinë, Komisioni i Venedikut ka kërkuar të adresojë këtë çështje, ne e kemi theksuar te neni 4 që përbërja e qeverisë është me përfaqësimin e barabartë gjinor”, theksoi ai.

Në anën tjetër, anëtari i Komisionit nga AAK-ja Besnik Tahiri, arsyetoi kërkesat e tyre që në projektligj të përcaktohet numri e anëtarëve të qeverisë.

“Arsyeja që nuk ka ardh në Kuvend është vetëm një, dilema a me vendos numrin e anëtarëve, dhe për këtë i jemi drejtuar Komisionit të Venecias. Arsyeja pse kemi dashur me vendos numrin është se numri ka evoluuar nga viti në vit. Barazia gjinore duhet me qenë sipas Kushtetues dhe Ligjeve në fuqi, a nënkupton kjo 50/50. Nëse e keni mendu ashtu duhet me qenë 50/50”, tha ai.

Komisioni i Venecias kishte kërkuar që në Ligjin për Qeverinë duhet marrë parasysh respektimin e barazisë gjinore, siç është e paraparë me Kushtetutën e Kosovës, traktatet e OKB-së, traktatet e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut si dhe rekomandimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Sipas këtij opinioni, përderisa Kosova nuk është palë e këtyre traktateve, këto rekomandime janë të pasqyruar në Kushtetutën e Kosovës dhe duhet që të përfshihen në ligjet në fuqi.

“Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore”, paracaktohet në nenin 7, paragrafin 2 të Kushtetutës së Kosovës.

Në fund të dhjetorit, Qeveria Kurti ka miratuar projektligjin për qeverinë.

Ky projektligj pritet të rregullojë organizimin dhe funksionimin e Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri.

Projektligji që mbanë ‘mister’ numrin e ministrive