Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Projektligji i Qeverisë pritet të shkojë brenda pak javësh për votim në Kuvend

Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës pritet që shumë shpejt të dal në seancë të Kuvendit të Kosovës për t’u votuar nga ana e deputetëve.

Ligji për Qeverinë pritet të vendos rregulla në lidhje me fushëveprimtarinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Përmes këtij ligji pritet të përcaktohet numri i zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendësministrave.

Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës pritet të përcaktoj edhe kufizimet në kompetenca të Qeverisë në dorëheqje.

Qeveria e Kosovës ka miratuar programin legjislativ për vitin 2020 dhe sipas këtij dokumenti thuhet që Qeveria e Kosovës ka afat që ta dërgoj projektligjin për Qeverinënë Kuvendin e Kosovës deri më 27 shtator.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, tha shkurtimisht për KALLXO.com që projektligjin për Qeverinë e kanë dërguar në Komisionin e Venedikut dhe presin që në mbledhjen e ardhshme të këtij institucioni të trajtohet projektligji dhe të marrin opinionin e tyre në lidhje me projektligjin për Qeverinë.

Pasi që Qeveria ta procedojë, Kuvendi i Kosovës duhet që ta paraqesë në lexim të parë projektligjin jo më herët se dy javë dhe jo më vonë 4 javë.

Pas votimit të leximit të parë të këtij projektligji, votimi i leximit të dytë duhet të bëhet brenda 60 ditëve nga miratimi i leximit të parë.