Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Produkti që lufton kancerin mungon që dy javë në Onkologji, QKUK thotë se është rritur numri i pacientëve

Ka më shumë se dy javë që në Klinikën e Onkologjisë ka mungesë të produktit “Sorafenib”, i cili lufton qelizat kancerogjene dhe është pjesë e Listës së Barnave Esenciale.

Njëri prej pacientëve që merr nga dy tableta të këtij ilaçi në ditë, ka rrëfyer në kushte anonimiteti për KALLXO.com, se ka më shumë se dy javë që nuk është furnizuar me këtë ilaç.

Arsyeja e kësaj mungese, sipas Qendrës Klinike e Universitare është rritja e numrit të pacientëve dhe rrjedhimisht të harxhimit të produktit.

“Sa i përket furnizimit me produktin “Sorafenib” të Klinikës së Onkologjisë, ka rritje të numrit të pacientëve, rrjedhimisht rritje të shpenzueshmërisë së produktit, përtej planifikimit të paraparë për këtë periudhë kohore nga Klinika e Onkologjisë” – thotë në një përgjigje me shkrim Shefja e sektorit të furnizimit me barna në QKUK, Dardane Mehaj.

Mehaj më tej tha se bashkë me klinikën kanë planifikuar për t’u furnizuar me sasi shtesë dhe janë në pritje të liferimit nga operatori ekonomik. Ajo tha se pritet që furnizimi të bëhet gjatë javës së ardhshme.

Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi tha se numri i pacientëve që marrin këtë ilaç është i vogël.

Në faqen e-prokurimi figuron se ShSKUK ka nënshkruar kontratë më 20 tetor me Sorafenib, në vlerë mbi 30 mijë euro për 6,589 tableta.

Bazuar në këto shifra, pacienti në fjalë do duhej të paguante rreth 140 euro në muaj, për të blerë këto tableta, nëse ato do të shiteshin me të njëjtin çmim edhe nëpër barnatore.