Merdare foto Kallxo com

Pritje të gjata në kufi me Serbinë - Deri në 4 orë në Merdarë

Për të kaluar kufirin Kosovë – Serbi, pritjet po zgjasin deri në katër orë.

Tri pikëkalimet kufitare më të ngarkuara në dalje të Kosovës janë në Merdarë, Dheu i Bardhë dhe Mutivodë.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në dalje të Merdarës, qytetarët presin 4 orë (240 – 250 minuta), ndërsa në dalje të Mutivodës deri në dy orë.

Kolona në Merdarë është e gjatë 3.5 kilometra.

Ndërkaq, në dalje të Dheut të Bardhë, pritjet zgjasin deri në tri orë e 20 minuta (180 – 200 minuta).

Në Muçibabë pritjet janë deri në një orë, e në Jarinje 20 minuta.

Kolona të tilla e kanë karakterizuar kufirin ditëve të fundit për shkak të largimit të mërgimtarëve.

Dje në Merdarë, një patrullë e policisë është sulmuar nga tre persona. Si pasojë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.