Kolona të gjata në pikën kufitare në Merdarë. 07/01/2023. Foto: KALLXO.com

Pritje mbi 3 orë në Merdarë, Policia kërkon nga qytetarët t’i përdorin edhe pikat e tjera kufitare

Më shumë se tri orë kanë pritur qytetarët për të dalë nga Kosova përmes pikës kufitare në Merdarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se bazuar në informacionet që kanë nga të gjitha pikat e kontrollit kufitar qarkullimi i njerëzve dhe mallrave zhvillohet normalisht, përveç në pikën kufitare në Merdarë.

Sipas njoftimit, aty është një përqendrim më i madh i automjeteve dhe personave, prandaj pritjet dhe kolonat janë më të gjata.

“Në orët e pasdites në pikë kalimin kufitar në Merdar në Hyrje të Republikës së Kosovës nuk ka pasur ndonjë raportim për pritje apo kolona të gjata, përderisa në dalje janë evidentuar pritje më tepër se 3 orë” – njoftoi Policia.

Tutje Policia ka inkurajuar të gjithë personat që shfrytëzojnë pikë kalimet kufitare në këtë periudhë për dalje nga Kosova të përdorin edhe pika të tjera kufitare, ku fluksi është më i vogël, në mënyrë që t’u shmangen pritjeve dhe kolonave eventuale.

Një patrullë e Policisë është sulmuar gjatë ditës në pikën kufitare në Merdarë nga tre persona. Si pasojë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Ajo shtoi se të dyshuarit janë shoqëruar në stacion dhe është nisur hetim për veprën – sulm ndaj personit zyrtar.

Pritjet në pikat e kalimit kufitar. Screenshot: Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar