Kufiri, Merdare, 5 shkurt 2024

Paralajmërimi për protesa matanë Merdarës - Disa vetura zgjedhin të mos e kalojnë kufirin

Ndonëse erdhën deri në Mendare për të kaluar kufirin me Serbinë, disa vetura me targa të Kosovës e të shteteve të tjera, të drejtuara nga qytetarë shqiptarë kanë vendosur të kthehen prapa, pasi u informuan nga policia për protestën e paralajmëruar në pjesën e Serbisë, matanë kufirit.

Ekrem Binaj, qytetar, u detyrua të kthehej pas në Merdare pas informacioneve për protesta.

“Unë këtu u ktheva (pa hyrë në territorin e Serbisë). Unë tash do të vazhdoj për Mitrovicë, unë jam nis për Lubljanë. Gjatë rrugës jam njoftu përmes telefonit që ka bllokadë. Policia shumë mirë u shpreh, tha ‘garancë nuk ka’”- tha Binaj.

Ndërsa, Naim Kadrijaj, qytetar, tha se nuk ka informata që andej kufirit është duke u zhvilluar protestë.

Ai u shpreh se nëse organet e rendit i thonë për t’u kthyer pas, do të kthehet.

“Unë jam nis për në Itali. Nuk kemi pas informata. Nuk e besoj. Nëse Policia na thotë na kthehemi. Gjithë këtë pikë kufitare kaloj”- tha Kadrijaj.

Në afërsi të Merdares, në Serbi janë paralajmëruar protesta dhe bllokim i rrugëve prej orës 12:00 deri në 15:00, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u ka bërë thirrje qytetarëve që planifikojnë të udhëtojnë përmes Merdares që të përdorin pika të tjera.

Gjatë qëndrimit të KALLXO.com në Merdare, asnjë nga veturat me targa të Serbisë nuk është parë të kthehet prapa.

Mediumi serb, Euronews Serbia raportoi se serbët e zhvendosur nga Kosova kanë paralajmëruar bllokim të të gjitha automjeteve të drejtuara nga shqiptarët që kalojnë kufirin në këtë pikë-kalim.

Me tej thuhej se bllokada të tilla janë paralajmëruar të përsëriten çdo të hënë në të njëjtin orar për shkak siç thonë ata të “terrorit që po përjeton populli serb çdo ditë në Kosovë”.

Protesta e bllokim të rrugëve në Serbi, thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin qarkullimin përmes Merdarës