Presidentja Osmani shtron Darkën e Lamës për policët dhe familjarët e policëve të rënë në detyrë

Darka e Lamës, e cila organizohet tradicionalisht nga Zyra e Presidentit, këtë vit është mbajtur në kampin “Enver Zymeri” në Mitrovicë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kjo është bërë në shenjë mirënjohjeje për gra e burra në uniformë që shërbejnë pa u lodhur për të na bërë të ndihemi të sigurt.

“Në prani edhe të familjeve të policëve që kanë rënë në detyrë, përfshirë familjen e heroit Afrim Bunjaku, shprehëm mirënjohjen më të thellë të të gjithë qytetarëve të Republikës për ata që dhanë jetën në mbrojtje të çdo pëllëmbe të territorit të vendit tonë”- ka shkruar Osmani në Facebook.

Festa e Darkës së Lamës së pari e organizoi presidenti Ibrahim Rugova në vitin 2002.

Synimi ishte që të shënohet fundi i stinës së verës dhe fillimi i vjeshtës. Ndërsa, në sofrat, ku mysafirë ishin krerë institucionesh nga vendi e ndërkombëtarë, shërbehej ushqim tradicional.