President Biden i bashkohet zërave ndërkombëtarë që Izraeli ta ndalojë ofensivën e planifikuar në Rafah

Joe Biden i ka intensifikuar thirrjet ndërkombëtare që Izraeli të heqë dorë nga planet për një sulm ushtarak të gjithanshëm në qytetin e Rafahut. Duke folur pas bisedimeve me Mbretin e Jordanisë Abdullah në Shtëpinë e Bardhë të hënën, presidenti amerikan deklaroi se “Një operacion i madh ushtarak në Rafah nuk duhet të vazhdojë pa një plan të besueshëm për ta garantuar sigurinë dhe mbështetjen e më shumë se 1 milion njerëzve të strehuar atje”.

28,473 palestinezë janë vrarë dhe 68,146 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori 2023, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës në një deklaratë të martën më 13.02.2024. 133 palestinezë u vranë dhe 162 u plagosën në 24 orët e fundit, thotë ministria në fjalë.

Presidenti Joe Biden ka thënë se SHBA po punon shumë për ta ndërmjetësuar një tjetër pauzë në luftimet në Gaza, në mënyrë që të dërgojë ndihma humanitare dhe furnizime në rajon dhe të largojë pengjet.

“Elementët kryesorë të marrëveshjes janë në tryezë”- ka thënë Biden, duke shtuar se “ka boshllëqe që mbeten ende”.

Palestinezët në Rafah e kanë përshkruar panikun dhe dëshpërimin që është përhapur në qytetin më jugor të Gazës pasi autoritetet izraelite kanë thënë se do ta zgjerojnë ofensivën tokësore. Të paktën gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës është e vendosur në Rafah, një qytet që më parë strehonte një pjesë të kësaj sasie.

Senati i SHBA-së duket se është në rrugën e duhur për ta miratuar një paketë të shumëpritur financimi për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin. Senati votoi 66-33 për ta hequr mënjanë pengesën e fundit procedurale përpara një votimi mbi kalimin që mund të vijë të mërkurën. Më pas, projektligji do të shkojë në Kuvend. Mike Johnson, kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, ka deklaruar se paketës i mungojnë dispozitat e sigurisë kufitare, duke e quajtur atë “të heshtur për çështjen më të ngutshme me të cilën përballet vendi ynë”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala