(Arkiv) Foto: KALLXO.com

Policia: Zyrtarët policorë në veri janë të furnizuar me ushqim dhe veshmbathje

Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për media se zyrtarët policorë në veri të vendit po furnizohen me kohë me ushqim dhe veshmbathje.

Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se sipas planifikimeve operacionale, me kohë po ndërmerr masat e sigurisë për policët e saj.

“Policia e Kosovës, në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me kohë ndërmerr masat e sigurisë, masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistike, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Tutje, Policia  ka thënë se edhe sot situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale.

Pikat kufitare Jarnije dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe sot.

Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistika, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë.

“Policia e Kosovës e bazon punën në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime, andaj spekulimet e vazhdueshme nga mediat, kryesisht serbe, se gjoja zyrtarët policorë në veri të vendit kanë sjellje jo të mira, të vrazhda dhe jomiqësore ndaj komunitetit serb, nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta” – thuhet në fund të komunikatës.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu të hënën shkroi në Facebook se ka informacione që ka, zyrtarëve policorë që po qëndrojnë në Jarinje po u përfundojnë rezervat e ushqimit.

“Tani po bëhen 55 orë që Policët e Kosovës pa ndërrim, po qëndrojnë në Jarinje pasi që rruga është bllokuar që 48 orë. Përveç lodhjes e rraskapitjes, atyre tash po ju përfundojnë edhe rezervat e ushqimit” – kishte shkruar në mes tjerash deputetja Musliu.

Serbët lokal të veriut të Kosovës që nga e shtuna e 10 dhjetorit kanë vendosur barrikada në rrugët që të dërgojnë për në kufi me Serbinë. Kjo erdhi pasi që Policia e Kosovës arrestoi një ish polic serb, i dyshuar për organizim të sulmeve ndaj zyreve të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut, incident që ndodhi ditë më parë.