Zyret e djegura në degën e Gjykatës Themelore në Kaçanik, Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Arrestohet i dyshuari i katërt për zjarrvënien në Gjykatën e Kaçanikut

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person, i cili dyshohet për rastin e zjarrvënies ndaj zyrave të Degës së Gjykatës Themelore të Ferizajt, në Kaçanik.

Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit policorë në bashkëpunim me policët e stacionit të Kaçanikut pasi i kanë arrestuar tre të dyshuar më 15.03.2024, janë vënë në kërkim të personit të katërt, E. R. i moshës 29-vjeçare.

Ndërsa, tre të dyshuarit tjerë janë të moshës 17-vjeçare, M. H., T. B., dhe V. T.

“Në orën 20:00 i dyshuari E. R. është ndaluar e më pas është arrestuar në pikën kufitare Hani Elezit dhe është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve, i cili në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit policorë, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Më datën 13.03.2024 rreth orës 03:55 policia e stacionit në Kaçanik kishte pranuar një informatë se në objektin e Gjykatës Themelore – Dega në Kaçanik ishte një zjarrvënie.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të zjarrfikësve, të cilët rreth orës 04:40 kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin dhe si pasojë e këtij incidenti nga zjarri janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate.

Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat e stacionit të Kaçanikut, e më pas edhe hetuesit dhe krim-teknikët rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar e kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe i kanë nisur hetimet intensive në kërkim të personave të dyshuar.

KALLXO.com mësoi se gjyqtarët zyrat e të cilëve u dogjën nga zjarri, merren me çështje penale.