Zyret e djegura në degën e Gjykatës Themelore në Kaçanik, Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com
Detaje lidhur me djegien e zyreve në degën e Gjykatës së Ferizajt në Kaçanik
Zyret të cilat u dogjën nga zjarri në Gjykatën Themelore – Dega në Kaçanik më 13.03.2024, janë zyre të dy gjyqtarëve.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja në Gjykatën e Ferizajt, Gentiana Hoxha.
Gjykata Themelore në Ferizaj në një komunikatë për media ka thënë se më 13.03.2024, rreth orës 04:00 të mëngjesit, zjarri ka kapluar një pjesë të dy zyrave të katit të dytë të objektit.
Zjarri dyshohet se ishte i qëllimshëm, e Policia e Kosovës po dyshon se tre persona kanë qenë të përfshirë në këtë rast.
Sipas informatave të KALLXO.com, bëhet fjalë për zyret e gjyqtarëve Zajrete Muhaxheri dhe Burim Qaka.
KALLXO.com më tej mëson se dyshohet se tre persona të maskuar kanë hyrë brenda, duke i përdorur shkallët emergjente, edhe me lëndë djegëse që dyshohet se ishte benzinë, si dhe dyshohen se i kanë djegur zyrat.
Në anën tjetër, Hoxha ka njoftuar se janë duke bërë vlerësimin e dëmve të shkaktuara.
“Zyret janë të dy gjyqtarëve, nuk kemi informacione që kanë qenë të kërcënuar më parë ose diçka. Kemi bërë komisionin për vlerësimin e demëve, ka dëme në lëndë mirëpo lëndët janë në sistem elektronik” – ka deklaruar Hoxha për KALLXO.com.
Kurse, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka thënë se nuk dihet se prej çka ka filluar zjarri.
“Ende nuk dihet prej çka ka filluar zjarri, jemi në fazën e hetimeve” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Tutje, në komunikatën e Gjykatës është thënë se ekipi i zjarrfikësve dhe Policia kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin.
“Janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe zjarri është shuar si dhe kanë zhvilluar procedurat dhe marrjen e provave. Si pasojë e zjarrit ka pas dëme materiale por jo pasoja me njerëz” – njoftoi Gjykata.
Ndërkaq, sipas të dhënave të organeve kompetente dyshohet për zjarrvënie nga persona të panjohur deri më tani.
Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha për KALLXO.com se nga hetimet e para dyshohet se tre persona të panjohur, i kanë vënë zjarrin objektit të gjykatës.
“Hetuesit policorë janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejtë të këtij rasti”- tha Veseli për KALLXO.com.
Po ashtu, i njëjti konfirmoi se zjarri është lokalizuar rreth orës 04:40 në mëngjes.
Në lidhje me rastin tashmë janë duke u marrë hetimet nën autorizimet e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.