Policia jep detaje për arrestimin e të miturve për zjarrvënien në gjykatën në Kaçanik

Tre të dyshuar të mitur janë vënë në pranga nga ekipet e policisë në lidhje me rastin e zjarrvënies ndaj zyrave të Degës së Gjykatës Themelore të Ferizajt, në Kaçanik. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas një pune intensive hetimore dhe grumbullimit të informacioneve në terren, në koordinim me Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore në Ferizaj, me datën 15.03.2024 rreth orës 10:00 kanë arritur që të asrrestojnë tre persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale zjarrvënie. 

Tre të dyshuarit të moshës 17 vjeçare janë M.H., T.B., dhe V.T.

Të dyshuarit janë shoqëruar në Policinë rajonale të Ferizajt, përkatësisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve, të cilët në prani të avokatëve mbrojtës janë intervistuar nga policët hetues, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 24 orë, për procedura të mëtejme hetimore.

Me datën 13.03.2024 rreth orës 03:55 policia e stacionit në Kaçanik kishte pranuar një informatë se në objektin e Gjykatës Themelore-Dega në Kaçanik ishte një zjarrvënie.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të zjarrfikësve, të cilët rreth orës 04:40 kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin dhe si pasojë e këtij incidenti nga zjarri janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate.

Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat e stacionit të Kaçanikut, e më pas edhe hetuesit dhe krim-teknikët rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar e kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe i kanë nisur hetimet intensive në kërkim të personave të dyshuar.

KALLXO.com mësoi se gjyqtarët zyrat e të cilëve u dogjën nga zjarri, merren me çështje penale. 

Policia po interviston të miturit e dyshuar për zjarrin në zyrat e gjyqtarëve në Kaçanik