Policia identifikon refugjatë të cilët hynë ilegalisht nga Shqipëria në Kosovë

Një rast i kontrabandës me migrant është hapur mëngjesin e sotëm nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, njësia policore e cila ishte në vëzhgim në afërsi të autostradës “Ibrahim Rugova”, afër Pikës Kufitare në Vermicë, ka vërejtur pesë persona refugjatë të cilët dyshohen se janë hyrë ilegalisht nga Shqipëria në Kosovë.

Sipas njoftimit, të njëjtit kanë hyrë në një automjet, i cili dyshohet se ishte në pritje të tyre.

Në lidhje me rastin, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, si dhe është njoftuar prokurori i krimeve të rënda, me vendim të të cilit i dyshuari është ndaluar, ndërsa automjeti i tij është sekuestruar.

Lidhur me rastin janë njoftuar Njësiti i Migrimit dhe Njësiti i Hetimeve Regjionale, për procedura të mëtejme hetimore.