Foto: KALLXO.com Ilustrim

Policia gjen te 4 të mitur të Mitrovicës drogë, pistoletë e thikë

Katër persona të mitur e tre të moshës madhore janë ndaluar gjatë të hënës Policia e Kosovës, në tri raste të ndryshme për posedim të narkotikëve e armëmbajtje pa leje në qytetin e Mitrovicës.

Në tri raste të ndara, zyrtarët policorë në Mitrovicë kanë konfiskuar substanca narkotike, pistoletë e thikë.

Në rastin e parë, që ndodhi në orët e para të ditës së djeshme, rreth orës 04:35, policët ndalën një veture ku gjendeshin katër të mitur.

Nga të njëjtit, policët gjatë kontrollit të veturës kanë konfiskuar një mulli për bluarjen e substancave narkotike dhe një kuti për mbajtjen e substancave narkotike.

Përpos këtyre, nga të miturit u konfiskua edhe një pistoletë me një karikator, katër fishekë të kalibrit 7.65 mm, 19 fishekë të kalibrit 9 mm dhe një thikë.

Pas gjithë kësaj pune, të dyshuarit u intervistuan, mirëpo në konsultim me prokurorin ata janë liruar në procedurë të rregullt.

Në rastin e dytë, që ka ndodhur rreth orës 14:15, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit tek të njëjtit janë gjetur dhe konfiskuar substanca narkotike dhe në konsultim me prokurorin të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i tretë ka ndodhur rreth orës 17:25, ku nga zyrtarët e policisë është arrestuar një i dyshuar pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një sasi prej 0.6 gram substancë narkotike e llojit mariuhanë.

Policia ka thënë se pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.