Njësi speciale të policisë së Kosovës | Foto: KALLXO.com

Policia flet për rastin ku pati të shtëna gjatë një tubimi të LVV-së në Gllanasellë

Në orët e mbrëmjes u raportua për disa të shtëna me armë zjarri në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje në fshatin Gllanasellë të Drenasit.

Sipas raportimeve të shtënat kanë ndodhur në praninë e deputetit të LVV-së, Enver Dugolli.

Ky i fundit, në një prononcim për KALLXO.com ka mohuar se ka qenë prezent kur është shtënë me armë. Dugolli tha se nuk e di se çka ka ndodhur aty pasi ai është larguar dhe ka shkuar në një tubim tjetër elektoral.

Në lidhje me rastin, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka bërë të ditur se në atë lokacion Policia ka kryer bastisje ku është identifikuar një i dyshuar dhe është sekuestruar një armë me gas dhe 5 fishekë.

“Në lokacionin ku ka ndodhë rasti, Policia ka kryer një bastisje dhe ka identifikuar një person të dyshuar, të cilit (në veturë) i kemi gjetur dhe sekuestruar një armë me gas, të tipit Ecol Special dhe 5 fishekë”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti potencoi se bazuar në të dhënat fillestare, nuk raportohet për persona të lënduar.

Tutje, Ahmeti theksoi se në stacion policor janë shoqëruar dy persona dhe aktualisht hetuesit policorë të Drenasit kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti.