Enver Dugolli. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

U raportua se mori pjesë në tubimin ku pati gjuajtje me armë, flet deputeti i Vetëvendosjes

Gjatë mbrëmjejs së sotme në disa media u raportua se në një mbledhim të Lëvizjes Vetëvendosje në fshatin Gllanasellë të komunës së Drenasit ku pati gjuajtje me armë zjarri, ka qenë i pranishëm edhe deputeti Enver Dugolli.

Lidhur me këto raportime Dugolli për KALLXO.com konfirmoi se ka qenë në një tubim në Gllanasellë, kurse lajmet për prezencën e tij gjatë gjuajtjes me armë ai i quajti shpifje.

Dugolli potencoi se në atë tubim ka qëndruar gjysmë ore dhe më pas ka vazhduar në tubimin tjetër, në Zabel të Ulët.

“Jo, nuk është e vërtetë, një portal ka shpifur për shkak se është shërbyer me një foto që është bërë në fillim të tubimit dhe ne kemi qëndruar bashkë me deputetin Gani Krasniqi vetëm 30 minuta sepse kemi pasur tubim tjetër në Zabel të Ulët, më pas nuk di çka të them sepse nuk e di çfarë ka ndodhur”, ka thënë Dugolli.

Ai shtoi se me largimin e tij, takimi është përmbyllur dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas.

“Në atë moment nuk kam qenë, tubimi elektoral ka përfunduar me largimin tonë, por me gjasë ndeja paska vazhduar, nuk e di çfarë ka ndodhur”, shtoi Dugolli për KALLXO.com.