Mirtovica e Veriut, Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Policia e rendit vazhdon të ofrojë siguri në "Lagjen e Boshnjakëve", situata e qetë

Për dallim nga pjesët tjera të komunave me shumicë serbe në te cilat janë vendosur disa barrikada në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut situata është raportuar e qetë.

Ka disa ditë që kur policë të rendit janë vendosur në këtë lagje dhe te vendi i njohuri si “Tre rrokaqiejt” për të ofruar rend e siguri pas disa incidenteve që u shënuan në këto lagje.

Hedhje e mjeteve shpërthyese e të shtëna janë raportuar javën e kaluar, gjë që shtyri Policinë e Kosovës që për të ofruar siguri për banorët që jetojnë në këtë zonë të dërgojë disa zyrtarë policorë.

KALLXO.com sjell pamje nga zona.

Policët po vazhdojnë të qëndrojnë në këtë pjesë ndërsa pritet që të bëhet edhe ndërrimi tyre.

Në anën tjetër KALLXO.com gjatë ditës së sotme publikoi pamje brenda barrikadave të krijuara në fshatin Rudarë të Zveçanit dhe asaj që është vendosur në rrugën kryesore në Zubin Potok.

Dy rrugët që dërgojnë në Jarinjë e Bërnjak janë bllokuar dhe për këtë arsye Policia njoftoi se ato janë aktualisht jashtë funksionit.

Incidente, plagosje, shkëmbime me armë zjarri e sulme ndaj gazetarëve janë raportuar ditëve të fundit në veri të Kosovës pas tensioneve te ngritura që nga e marta e javës së kaluar.

E gjitha nisi kur serbët nuk lejuan fillimin e punës për zyrtarët e lartë të përzgjedhur nga KQZ për zgjedhjet që ishin planifikuar të mbahen më 18 dhjetor.

Tutje persona të dyshuar sipas Policisë me anë të mjeteve shpërthyese e edhe granatë dore kishin demoluar zyrën e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut ndërsa vetëm pak ditë më pas nisën edhe disa arrestime.

Fillimisht u arrestua një person i cili dyshohet për sulm ndaj Policisë në vitin 2021, kur ishte zhvilluar aksioni kunder kontrabandës në veri të Mitrovicës.

Një ditë më vonë Policia njoftoi për arrestimin e ish-zyrtarit policor Dejan Pantiq, i cili dyshohet se organizoi sulmin me mjete shpërthyese ndaj zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në veri.

Policia tashmë ka regjistruar disa raste të sulmeve ndaj ekipeve policore por mëngjesin e djeshëm persona të dyshimtë sulmuan edhe një ekip të EULEX-it.

Përveç zyrtarëve policorë, persona të dyshuar e të maskuar sulmuan e hodhën mjete shpërthyese edhe në drejtim të gazetarëve të cilët po raportonin për situatën në veri.