FOTO - KALLXO

Policia dhe protestuesit e mirëmbajnë rutinën në veriun e tensionuar të Kosovës

Disponimi në veriun e Kosovës mbetet i tensionuar ndërkohë që serbët po i mbajnë të bllokuara rrugët që qojnë drejt kufirit duke protestuar lidhur me rregullat e reja të imponuara mbi automjetet e Serbisë përderisa njësitë e forcave speciale të Kosovës mbajnë një prani të armatosur aty pranë.

Është ora 11:30 e mëngjesit të së martës afër pikëkalimit kufitar të Jarinjes në veriun e Kosovës dhe pjestarët e njësive të forcave speciale të Kosovës po bëhen gati të fillojnë turnin e tyre 12 orësh.

Zyrtarët e forcave speciale të cilët sapo e mbaruan turnin e tyre përjetuan një natë të qetë porse të ftohtë në atë luginë qyshkur kishin marrë përsipër turnin një natë më parë. Mirëpo, shiu i madh e bëri edhe më të veshtirë ecjen e tyre tri-kilometërshe duke kaluar përgjatë një serie pengesash të vendosura nga protestuesit serbë të Kosovës. Teksa iu ofrohen bllokadave, protestuesit në qetësi ua liruan atyre rrugën për të kaluar.

Zyrtarët policorë e kaluan natën në automjete të blinduara apo edhe në kontejnerë  të vendosuar jo më larg se një kilometër nga pikëkalimi kufitar.  

“Paç një ditë të mire,” i thotë zyrtari policor kolegut të tij teksa e bëjnë ndërrimin e turnit.  

Jarinje dhe një pikëkalim tjetër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Bernjaku, kanë qenë të bllokuara tash e dhjetë ditë nga protestuesit serbë të Kosovës kundër rregullave të reja të cilat i detyrojnë ata që ti ndërrojnë tabelat e tyre të regjistrimit të lëshuara nga autoritetet e Serbisë me tabela të përkohshme të Kosovës me të hyrë në territorin e Kosovës, ndërsa ngasësit kosovarë e kanë bërë të njëjtën për shumë vite sa herë janë futur në territorin e Serbisë.

Në ditën kur është vendosur kjo masë, me 20 shtator, serbët lokalë  kanë vendosur pengesa përmes dhjetëra kamionëve. Rreth 70 kamionë janë parkuar në mes të rrugës në gjashtë lokacione të ndryshme afër Jarinjes, përafërsisht 90 kilometra larg prej kryeqytetit, Prishtinës.

Shumica e kamionëve i përkasin ndërmarrjeve publike në komunat veriore të dominuara nga serbët e Kosovës. Disa prej tyre nuk ndërlidhen fare me protestën, dhe thjesht ishin ta pafat të qëllonin atje dhe u në momentin kur u vunë bllokadat në rrugë. Tani ngasësit e tyre po presin me dëshpërim që të përfundojë gjithçka në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë rrugën e tyre.

Autoritetet kosovare thonë se njësitë speciale të policisë po e mirëmbajnë pikëkalimin kufitar e njëkohësisht edhe në funksion të këmbësorëve dhe automjeteve, shoferët e të cilëve janë të gatshëm të përdorin tabelat e përkohshme të Kosovës.

Mirëpo qeveria e Serbisë i sheh njësitë e armatosura si një provokim ndaj banorëve të zakonshëm që jetojnë në këtë zonë të dominuar nga serbët, e cila shpesh ka qenë një fitil  ndezës për incidente gjatë dy dekadave të fundit.

Pak metra dhe dhjetëra kamionë e ndajnë policinë e armatosur nga protestuesit serbë që qëndrojnë atypari po ashtu në turne. Rreth orës 10 të mëngjesit, banorët arrijnë aty për t’i liruar ata që e kanë kaluar natën në tri tenda të ngritura nga protestuesit matanë rrugës. Por edhe të tjerë vijnë e shkojnë gjatë ditës.

Protestuesit janë furnizuar me dru për ngrohje dhe ushqim skare ndërkohë që edhe e vëzhgojnë situatën. Tymi i bardhë ngrihet lart nga një oxhak në një nga çadrat e tyre, teksa ata që qëndrojnë aty përpiqen ta mposhtin të ftohtin që mbretëron aty.

Të njëjtit e mposhtin mërzinë e rutinës së tyre duke biseduar me njëri -tjetrin, por papritmas heshtin kur atypari kalon ndonjë i huaj ose ndonjë gazetar. Asnjë nga protestuesit nuk pranoi të fliste me BIRN lidhur me këtë  artikull.

Bllokada e pikëkalimit do të thotë që udhëtarët e autobusit duhet të dalin në kufi dhe të ecin për disa kilometra derisa të arrijnë në barrikadën e fundit.

Në një ditë të qetë,  vetëm zhurma e rrotave të valixheve të udhëtarëve që rrokullisen përgjatë asfaltit, thyen heshtjen.

Ngërçi i pathyer

Forcat speciale të policisë së Kosovës e bëjnë ndërrimin e orarit të tyre 12 orësh ndërskohë që protestuesit i vëzhgojnë ata në Jarinje, më 28 shtator 2021. Foto: BIRN

Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që kanë si synim ‘normalizimin’ e marrëdhënieve mes dy vendeve janë zvarritur për vite me pak progres të vërtetë në terren, pasi kontesti për tabelat e automjeteve është rishfaqur përsëri.

Tabelat e automjeteve kanë qenë mollë sherri që nga lufta e 1998-99 në Kosovë, e cila i dha fund fushatës së bombardimeve të NATO-s që detyroi ushtrinë dhe forcat policore të Presidentit Jugosllav Slobodan Millosheviq të tërhiqeshin nga Kosova, duke e lënë Kosovën me shumicë shqiptare një zonë nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2008.

Mirëpo, edhepse Serbia nuk e kishte më kontrollin në tërë territorin e Kosovës, ajo vazhdoi të funksiononte me një sistem paralel administrativ për serbët e Kosovës, përfshirë mijëra serbë në veri të Kosovës të cilët kanë vazhduar të përdorin tabela të automjeteve të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, të cilat fillojnë me akronimet e qyteteve të Kosovës, në vend të tabelave të lëshuara nga autoritetet në Prishtinë.

Në vitin 2011, tri vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje sipas së cilës autoritetet e Kosovës do të lëshonin tabela me mbishkrimin ‘RKS’ dhe – si koncesion të refuzimit të Serbisë për të njohur krahinën e saj të mëparshme si shtet – ‘KS’, që nënkupton thjesht ‘Kosova’.

Tabelat me mbishkrimin KS ‘neutrale ndaj statusit’ u lëshuan së pari nga misioni i administratës së OKB-së në Kosovë, UNMIK. Ky vendim kishte për qëllim inkurajimin e serbëve në pjesën veriore që të fillojnë ti përdorin tabelat e lëshuara nga Kosova, por shumë prej tyre e shpërfillën këtë vendim dhe vazhduan të përdorin tabelat e lëshuara nga Serbia në vend të tyre.

Në vitin 2016, Kosova e vazhdoi vlefshmërinë e tabelave KS për pesë vjet të tjera. Kur kjo masë skadoi më 15 shtator të këtij viti, qeveria e kryeministrit Albin Kurti vendosi kundër zgjatjes së saj dhe njoftoi se do të kërkonte gjithashtu heqjen e tabelave të lëshuara nga Serbia në kufi dhe zëvendësimin e tyre me tabela të përkohshme të Kosovës.

Serbia, nga ana e saj, nuk i njeh tabelat me mbishkrimin ‘RKS‘ dhe kërkon që ngasësit t’i heqin ato në kufi dhe të paguajnë për tabelat e përkohshme të lëshuara nga Serbia.

 

Forcat speciale të policisë së Kosovës dhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR (me bereta të kuqe), duke monitoruar situatën në Jarinje, pasi protestuesit bllokuan rrugët drejt kufirit Kosovë-Serbi në shenjë proteste ndaj masës së reciprocitetit të qeverisë së Kosovës në tabelat e automjeteve të Serbisë, 28 shtator, 2021. Foto: BIRN

Ndërkohë që bllokada e kalimeve kufitare po vazhdon edhe gjatë kësaj jave, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR, ndërhyri për të ofruar një zgjidhje, por kjo thuhet se u refuzua nga kryetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe.

Mediat në Kosovë raportuan se një propozim i bërë nga komandanti i KFOR-it, gjeneral Franco Federici, nënkuptonte që protestuesit ti zhbllokonin rrugët dhe njësitë speciale të policisë të tërhiqeshin nga veriu, ndërsa ushtarët e KFOR-it do të merrnin përsipër kontrollin mbi pikëkalimet.

Mirëpo kryetarët e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut këmbëngulën që është qeveria e Kosovës ajo e cilat duhet ta tërheqë vendimin e saj mbi tabelat e automjeteve.

Në një deklaratë të përbashkët të martën, katër kryetarët serbë këmbëngulën se vendimi “rrezikon lirinë e lëvizjes”.

“Në konsultim me qytetarët tanë, ne njëzëri hodhëm poshtë propozimin e [KFOR-it]. Njerëzit tanë dhe ne si përfaqësuesit e tyre nuk jemi gati të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në një geto,” deklaruan ata.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se autoritetet e Prishtinës e kishin pranuar ofertën.

“Marrë parasysh faktin që KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe është ofruar për të mbrojtur policinë tonë kufitare me forca shtesë në pikëkalimet kufitare, ne kemi deklaruar se prania e njësive speciale do të ishte e panevojshme me heqjen e barrikadave,” tha Sveçla të martën.

KFOR-i ka shfaqur një prani të dukshme në zonë në përpjekje për të ruajtur qetësinë. Të martën, katër ushtarë polakë të KFOR-it patrulluan dy herë përmes bllokadave dhe pikëkontrollit të policisë së Kosovës.

Mosmarrëveshja mbi tabelat e automjeteve u bë pjesë e bisedimeve të mërkurën në mëngjes në një takim midis delegacioneve nga Kosova dhe Serbia në Bruksel si pjesë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Këtë mëngjes, unë pata dy takime të ndara me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar mënyrat për të zgjidhur krizën aktuale,” shkroi i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak në llogarinë e tij Twitter. “Ne do të vazhdojmë diskutimet tona gjatë gjithë ditës”.

 

https://balkaninsight.com/2021/09/29/protesters-and-police-maintain-uneasy-stand-off-at-kosovo-border