Vizita e Xhelal Sveçlës dhe Elbert Krasniqit në brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak. Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

Ministri Sveçla viziton brezin kufitar në veri të Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me atë të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, sot kanë vizituar brezin kufitar mbi fshatin Bërnjak, në veri të Kosovës.

Bashkë me dy ministrat ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe drejtori i Departamentit të Kufirit, Fehmi Xhata.

“Sot kemi vizituar brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak, që shtrihet përgjatë asetit tonë, Liqenit të Ujmanit” – tha Sveçla.

Tutje ai shtoi se Policia në nivelin më të lartë të detyrës e me vigjilencë po mbron kufijtë e shtetit dhe po vazhdon të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

I pari i MPB-së shtoi se kjo po ndodh pavarësisht sulmeve të njëpasnjëshme, sipas tij, të grupeve kriminale e terroriste të Serbisë. Ai tha se janë kryer 115 sulme të tilla vetëm në veriun e vendit.

“Bashkë me ekipin, zyrtarët policor kufitar e të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit biseduam për nevojën e avancimit të kapaciteteve tona në pikat kufitare e në menaxhimin sa më efikas të brezit tonë kufitar” – tha ministri.

Ai shtoi se mbështetja e tij nuk do të mungojë për Policinë e Kosovës për të garantuar siguri e integritet të Republikës së Kosovës.

Sveçla në fakt për sot kishte planifikuar një vizitë tjetër – në Luginën e Preshevës, por autoritetet e Serbisë nuk i kanë lejuar hyrjen.

Kjo vizitë pritej të mbahej pas një ftese që Sveçla kishte pranuar më 29 dhjetor nga Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

“Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi” – tha mëngjesin e sotëm ministri.

Ai ka thënë se përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka përcjellë agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës.

“Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye shpjegim” – thuhet tutje në statusin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Me këtë veprim, Serbia, sipas Sveçlës, dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e ka dënuar ashpër vendimin e Qeverisë serbe për t’ia ndaluar ministrit Sveçla vizitën në Luginën e Preshevës.

Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë gjatë zgjedhjeve të kontestuara serbe të 17 dhjetorit, tha përmes një shkrimi në Facebook se vendimi dëshmon se “Qeveria në Beograd, nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptare”.

Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – komuna të njohura bashkërisht si Lugina e Preshevës.

Në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të 2002-ës, kanë qenë 88.966 qytetarë të regjistruar, prej tyre 57.737 shqiptarë, apo 65 për qind.

Numri aktual i shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është i qartë.

Vizita e Xhelal Sveçlës dhe Elbert Krasniqit në brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak. Foto: Xhelal Sveçla/Facebook
Vizita e Xhelal Sveçlës dhe Elbert Krasniqit në brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak. Foto: Xhelal Sveçla/Facebook
Vizita e Xhelal Sveçlës dhe Elbert Krasniqit në brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak. Foto: Xhelal Sveçla/Facebook