Ilustrim - Pika kufitare në Jarinjë Foto: KALLXO.com
Hapet pika e kalimit kufitar në Jarinjë
Pika e kalimit kufitar në Jarinjë është hapur për qarkullim, pas gati një muaji që kishte qëndruar e mbyllur pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zv.drejtori i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.
Elshani ka thënë se hapja e pikës kufitare në Jarinjë është bërë rreth orës 8:30.
Më 24 shtator 2023, dy nga pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbi, ajo e Bërnjakut dhe e Jarinjës u mbyllën për qarkullim, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, nga i cili i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku.
Pika kufitare në Bërnjak u hap vetëm 10 ditë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit ndërsa ajo në Jerinje vazhdoi të jetë e mbyllur.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.