Policia dhe Inspektoriati i ndalin në gjysmë tre dasma në Prizren e Suharekë

Policia dhe Inspektoriati kanë hasur në tre dasma të organizuara, sonte gjatë kontrolleve në qytetin e Prizrenit.

Sipas një njoftimi për media, gjatë inspektimi në rrugën ‘Tranziti i Ri’, ‘Tranziti i Vjetër’ dhe rruga Prizren – Suharekë, në tri salla të dasmave, Policia ka vërejtur se kanë organizuar dasmash në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

“Inspektorët së bashku me policinë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të urdhrit të Inspektorit, dasmat janë ndaluar dhe janë shpërndarë dasmorët. Në lidhje më këtë, për organizimin në kundërshtim të vendimit të Qeverisë, janë shqiptuar dënime nga inspektorët”, thuhet në njoftim.

Policia në Prizren ka paralajmëruar se do të vazhdojë bashkë me inspektorët, kontrollet, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Ndërsa nga sot, 20 gusht, deri më 1 shtator 2021, kanë hyrë në fuqi masat e reja anti COVID-19, ku ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, organizimi i dasmave, i fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës.