BE, EU, Bruksel

Komisioni Europian - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Plani i Rritjes i BE-së, Komisioni Europian u lëshon miliona euro vendeve të rajonit, Kosova ende pa të drejtë për të përfituar

Komisioni Europian ka lëshuar fonde për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e Planit të Rritjes të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. 

Kështu është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar nga Bashkimi Europian të enjten më 16.10.2025. 

Sipas njoftimit, ky vendim njeh reformat e rëndësishme që partnerët kanë bërë për t’u përshtatur më mirë me standardet e BE-së.

BE thot se Shqipëria do të marrë disbursimin e parë prej 99.3 milionë eurosh, nga të cilat 46.2 milionë euro do të paguhen direkt në buxhetin e shtetit, dhe fondet e mbetura do të mbështesin projektet e infrastrukturës përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Mali i Zi, sipas BE-së, do të marrë disbursimin e dytë prej 8.1 milionë eurosh, duke përfshirë 3.8 milionë euro të paguara direkt në buxhetin e shtetit.

Për Maqedoninë e Veriut thuhet se gjithësej janë ndarë 16 milionë euro, me 7.4 milionë euro të paguara direkt në buxhetin e shtetit dhe pjesën tjetër për të financuar projekte infrastrukturore.

Siç përshkruhet në komunikatë, pasi të miratohen nga Bordi i WBIF, këto fonde do të mbështesin projekte infrastrukturore në fusha të tilla si transporti i qëndrueshëm, energjia e pastër, zhvillimi i kapitalit dixhital dhe njerëzor, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

“Që nga fillimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, shumat totale të disbursuara arrijnë në 99.3 milionë euro për Shqipërinë, 18.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 25 milionë euro për Maqedoninë e Veriut. Plani i Rritjes stimulon përgatitjet e partnerëve të zgjerimit për anëtarësim në BE, duke sjellë përfitime përpara integrimit të plotë në BE. Kjo nga ana tjetër përshpejton shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre”- thuhet mes tjerash në komunikatë. 

Që Kosova të përfitojë milionat e parë nga Bashkimi Europian (nga gjithsej 882 milionë euro të parapara për të deri në vitin 2027), së pari duhet ta ratifikojë marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës. Ratifikimi nuk është bërë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, i cili vetëm para pak ditësh është konstituuar plotësisht.

Meqë ky vit gati shkoi, KALLXO.com e ka pyetur më 07.10.2025 ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, se a po rrezikon shteti që të mbetet pa këto miliona, kur dihet se Komisioni Europian ka tërhequr vërejtjen se mekanizmi është i përkohshëm dhe se përfitimet nuk mund të lëshohen pa i formuar Kosova institucionet e reja që çojnë në ratifikimin e marrëveshjes.

Murati nuk ishte përgjigjur direkt rreth mundësisë së humbjes së këtyre parave, mirëpo gjeti arsyetimin duke fajësuar partitë e ish-opozitës që nuk po kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje për daljen nga ngërçi.

“Ne kemi bërë një punë të jashtëzakonshme me stafin e administratës për ta përgatitur një paketë reformash që është vlerësuar lart edhe nga vetë BE-ja. Kemi qenë të parët që e kemi dorëzuar Planin e Rritjes, por tash nuk kemi Kuvend për të ratifikuar një marrëveshje të tillë. Ne si Qeveri jemi të gatshëm kurdo që ta procedojmë tutje e të ratifikohet. Kjo është thirrje për subjektet opozitare që t’i thirrin arsyes dhe t’i lënë mënjanë inatet politike- të mbështesin formimin e institucioneve- e jo të bëhen pjesë e bllokadës, që qesin kushte irracionale, të panatyrshme, përkundër ftesave tona që të bëhemi bashkë”- ishte përgjigjur Murati për KALLXO.com.

Komisioni Europian ishte shprehur i shqetësuar që institucionet e Kosovës ende nuk janë formuar, gjë që sipas këtij mekanizmi europian po shkakton vonesa të mëtejshme në ratifikimin e Marrëveshjeve për Kredinë dhe Lehtësinë Financiare nga Plani i Rritjes.

Një zëdhënës i Komisionit Europian kishte thënë për KALLXO.com që Kosova ende ka të drejtë përfitojë nga Plani i Rritjes, por duhet që të formojë institucionet sa më shpejt sepse ky mekanizëm është i përkohshëm.

“Kosova vazhdon të ketë të drejtë për të përfituar nga parapagesat sapo të ratifikohen marrëveshjet që lidhen me Mekanizmin për Reforma dhe Rritje. Megjithatë, ky mekanizëm është një instrument i përkohshëm, i parashikuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që procesi i ratifikimit të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron Plani për Rritje, në të mirë të qytetarëve të saj”- kishte thënë zëdhënësi për KALLXO.com më 25.07.2025.

Ky institucion europian, ripërsëriti se vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve të nevojshme mund të bëhet lëshimi i fondeve në kuadër të këtij Plani.

Fundi i vitit po afron, a mund t’i humbasë Kosova milionat nga Plani i Rritjes?