Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Petkoviq: Në Bruksel do të diskutojmë për draftin e statutit të Asociacionit, pala jonë është përgatitur

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka deklaruar se Beogradi është gjithmonë pro dialogut dhe se pas dy ditësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel do të diskutohet për draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kështu është shprehur Petkoviq para mediave pas takimit me emisarin e BE-së, Mirosllav Lajçak.

“Ne kemi pranuar ftesën e zotit Lajçak për t’u takuar në Bruksel pas dy ditësh, ku do të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pala jonë është shumë e përgatitur dhe po shkojmë me një ekip të posaçëm ekspertësh ku do të diskutojmë tekstin e statutit të Asociacionit, që është hapi i parë konkret drejt formimit të Bashkësisë së Komunës Serbe” – tha Petkoviq në një konferencë për shtyp pas takimit mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe emisarin e BE-sw, Lajçak, ku ai mori pjesë.

Petkoviq shtoi se diskutimet për statutin duhet të japin përgjigje se si do të zgjidhen një sërë çështjesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me AKS-në dhe mbi të gjitha se si do të zgjidhen kompetencat ekzekutive që ka AKS-ja, në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2013 dhe në vitin 2015.

Petkoviq ka shtuar se president serb Vuçiqi në takim me emisarin Lajçakun ka vënë në dukje faktet për “kërcënimin e përditshëm të serbëve në Kosovë, dhe lëvizjet e shumta përshkallëzuese të kryeministrit Albin Kurti”.

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të presë një takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier, e cila tha se takimi i Lajçak me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç nga pala serbe, do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e angazhimeve të palëve në dialog.

“Mund të konfirmojmë se emisari Lajçak do të presë një takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme. Takimi do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e angazhimeve të palëve në dialog” – tha Muletier për KALLXO.com.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe- marrëveshje që rrjedh nga procesi i dialogut me Kosovës dhe Serbisë, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Përmbajtja e dokumentit nuk është bërë publike zyrtarisht, përderisa konfidencialiteti i tij po arsyetohet nga palët, si kërkesë e ndërkombëtarëve.

Palët deklaruan se dokumenti është i pranueshëm për ta, mirëpo liderët e të dyja vendeve arsyetuan fshehtësinë e përmbajtjes, duke thënë se kjo është kërkuar nga pesë emisarët, pasi përpjekjet diplomatike janë ende në vazhdim.

Një ditë pas takimit në Bruksel me liderët europianë, kryeministri Kurti kishte thënë se drafti për vetëmenaxhimin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, nëse do të nënshkruhej në Bruksel.

Kurti para mediave pati thënë se emisarët kanë treguar se drafti është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës.

 Kurse të martën, ai tha se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar se sa ai i vitit 2013.

Ai shtoi se vërejtjet dhe kritikat e tij ia ka përcjellë edhe emisarit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është shprehur se nuk mund të flasë në publik për hollësitë e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por se dokumenti është “bazë e mirë për të ardhmen”.

“E shihni, ne u sollëm shumë korrekt dhe asnjë hollësi apo ndonjë gjë tjetër nuk doli askund në gazeta, sepse kjo është marrëveshja”- tha Vuçiq.

Më 26 tetor, president serb Vuçiqi kishte deklaruar se është plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit por, kishte shtuar se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës.

Kurse ambasadori i shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se draft-statuti është përgatitur në atë mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Teksa foli për konfidencialitetin e dokumentit, ambasadori tha se nuk ka asgjë të fshehtë por që sipas tij, negociatat diplomatike dhe angazhimet e ndjeshme nga komuniteti ndërkombëtar me qeveritë, shpesh bëhet në mënyrë diskrete sepse kushtet në atë mënyrë janë më të përshtatshme për të arritur në të vërtetë në mirëkuptime të përbashkëta për të avancuar gjërat.

“Pra, nuk mendoj se asnjëri prej nesh duhet të kërkojë falje për biseda konfidenciale apo diskrete me Qeverinë e Kosovës për një çështje shumë të ndjeshme. Në një kohë të përshtatshme, jam i sigurt se publiku do të ketë mundësinë të ketë qasje në draft-statut. Ajo kohë do të përcaktohet nga një kombinim i qeverisë dhe Mirosllav Lajçak në një mënyrë të përshtatshme”- deklaroi Hovenier.

Hovenier gjithashtu theksoi se liderët europianë kanë përmendur termin “urgjencë” dhe “sa më shpejtë të jetë e mundur”, në lidhje me implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Repubikës së Kosovës.

Kurse, më herët gjatë këtij viti, palët e dialogut u dakorduan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raportet.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.