Ilustrim.

Pesë persona të arrestuar për fajde në Gjakovë

Sot gjatë ditës Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për fajde në rajonin e Gjakovës.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, aksioni i policisë është kryer në 10 lokacione, përfshirë shtëpitë dhe bizneset e personave të dyshuar.

“Më datën 18 tetor 2022 është zbatuar urdhër kontrolli i lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë në 10 lokacione përfshirë shtëpitë dhe bizneset e personave të dyshuar për fajde” – ka thënë Elezaj.

Tutje Elezaj ka thënë se gjatë zbatimit të kësaj urdhërese në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar disa vetura të markave të ndryshme, motoçikleta, 4 armë zjarri, disa para, pajisje elektronike e të tjera.

Elezaj tregoi se pas intervistimit pesë të dyshuar me urdhër të prokurorit ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Gjithashtu Elezaj tha se rasti po vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë.