Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përkundër kërkesës së BE-së, MPJD ia ndalon sërish Petkoviqit hyrjen në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ia ka refuzuar sërish kërkesën që të vizitojë Kosovën, drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com Divizioni për Komunikim Publik në MPJD.

“MPJD-ja nuk e ka aprovuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq për të vizituar Kosovën në datat 2-3 dhjetor 2021”, thuhet në përgjigje.

Kjo është hera e dytë që brenda pak ditësh Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë.

KALLXO.com ka raportuar më 23 nëntor se drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ishte ndaluar hyrja në Kosovë. Petkoviq kishte planifikuar një vizitë nga data 3-25 nëntor, mirëpo një kërkesë për vizitë është refuzuar nga MPJD.

Mediat serbe sot kanë raportuar se Petkoviq mëngjesin e sotëm ka qenë në vendkalimin kufitar në Merdare, por i është penguar hyrja në Kosovë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, javën e kaluar i ka bërë thirrje Kosovës që të rishqyrtonte vendimin e saj që ia ndaloi hyrjen në Kosovë zyrtarit serb.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra e BE-së kishte theksuar se vizita e Petkoviqit ishte njoftuar në mënyrë të duhur në përputhje me marrëveshjen dhe për këtë arsye është dashur të lejohet vizita.

Zyra e BE-së: Kosova të rishqyrtojë vendimin, Petkoviqit është dashur t’i lejohet vizita