Përfundon protesta e AGK-së, kërkojnë nga gjykata që ta trajtojë rastin në mënyrë të drejtë

Ka përfunduar protesta e ftuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovoës në lidhje me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Në protestë kanë marrë pjesë dhjetëra gazetarë, përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile.

Naim Sadiku, anëtar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka thënë se gazetarët janë përballur me një fushatë të egër, sipas tij, të partisë në pushtet.

Ai ka bërë thirrje gjykatës që të trajtojë në mënyrë të drejtë rastin e Klan Kosovës.

“Gazetarët janë përballur me një fushatë të egër të partisë në pushtet dhe në këtë kohë denoncojmë gjithashtu këtë gjuhë të ashpër ndaj gazetarëve dhe ndaj mediave. Njëkohësisht si Asociacion kërkojmë nga Gjykata që të trajtojë rastin e Klan Kosovës në mënyrë të drejtë, duke mos u ndikuar na politika” – ka thënë Sadiku.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Sipas njoftimit të MINT, këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.

Në njoftim thuhet më tej se pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.. Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë” – thuhet në njoftimin e MINT

Ministria thotë se “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh ka nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

Ndryshe, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër “Klan Kosova” Sh.P.K. dhe pronarëve të saj.

Vendimin e Ministrisë e ka kritikuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend – thuhet, ndër të tjera, në reagimin e AGK-së.

Në anën tjetër Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka organizuar protestë sot me 31 korrik, në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

MINT publikon dokumentacion në maqedonisht, pretendon se pronari i Klan Kosovës ka paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë