Për shkak të një problemi të shfaqur, blloku B1 i KEK-ut jashtë funksionit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ndalur funksionimin e njësisë B1 të termocentralit “Kosova B” që nga 4 janari, për shkak të riparimit pas një problemi të shfaqur.

“Njësia B1 është ndalur nga operimi më 4 janar 2024 pas mesnate si pasojë e rritjes së humbjes së ujit. Njësia nuk është nominuar nga TC-B për 5 janar 2024. Sot ekspertët e TC-B-së kanë arritur të bëjnë defektazhën ku janë identifikuar disa rrjedhje në kaldajë” – tha zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

Ky problem, sipas Bucollit, pritet të eliminohet deri nesër (5 janar) në mesditë, për të rikthyer më pas njësinë në funksion.

Kosova ka 2 termocentrale, “Kosova A” që përbëhet nga pesë blloqe punuese A1, A2, A3, A4 dhe A5 dhe “Kosova B” që përbëhet nga dy njësi gjeneruese B1 dhe B2.