PDK thotë se nuk e mbështetë projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për projektligjin për masat e përkohshme të produkteve esenciale, tha se pajtohet me idenë por, në mënyrën se si është shkruar, ai tha se PDK-ja nuk mund ta mbështesë.

“Pajtohem 100% që idea është dhe duhet të zhvillohet në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit. Në drejtim të mbrojtjes së produkteve esenciale, në drejtim të ruajtjes së stabilitetit të tregut por kjo ide që është shkruar në draft ligj nuk pasqyron atë që u tha dhe që duhet në mënyrën më të mirë dhe në qëllimin më të mirë, prandaj në këtë situatë, PDK nuk mund ta mbështesë kështu”- ka deklaruar Shala.

Shala ka deklaruar se në situatat se si është shkruar drafti, lë hapësirë që ky ligj sipas tij të kthehet në dëm.

“Në shumë situata siç është  shkruar në draft-ligj, tejkalon përmasat e një ligji qëllim mirë dhe len hapësirë të madhe që ky ligj mund të kthehet edhe në dëm. Apo mund të përdoret edhe në situata të caktuara kundër bizneseve të caktuara për mënyrën dhe ruajtjen e konkurrencës apo aktualisht dhe aksidentalisht për falimentimin e bizneseve të caktuara importuese apo eksportuse”- u shpreh Shala.

“Tek neni për masat e përkohshme, e tërë terminologjia e përdorur në ligj është, ndalim, detyrim, caktim e kufizim. Kjo i bie në kundërshtim me të gjitha parimet bazë të ekonomisë së tregut të lirë, pa dhënë asnjë afat se sa është kjo periudhë detyrimi, sa është kjo periudhë kufizimi dhe pa dhënë asnjë sqarim për shkallën e rrezikut për bizneset”- shtoi ai.

Deputetët e Kuvendit po diskutojnë për projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Qëllimi i kësaj nisme legjislative është që të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligji dhe mënyrën e zbatimit të tyre.