Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

PDK për bastisjet: Dhomat e Specializuara të Kosovës të ndalin përndjekjen politike

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj ndaj, siç e ka quajtur, fushatës së bastisjeve që po zhvillojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-zyrtarëve të shtetit dhe anëtarëve të kësaj partie.

Në komunikatë thuhet se për PDK-në këto bastisje janë tërësisht të panevojshme, tendencioze dhe shkojnë në nivelin e përndjekjes politike.

“Kosova ka themeluar Dhomat e Specializuara për të ofruar drejtësi me standarde evropiane dhe jo spektakël në emër të saj. Mbi të gjitha, kjo fushatë përndjekëse shpërfaqë dështimin e Dhomave të Specializuara për të argumentuar aktakuzat e tyre në proceset gjyqësore”- thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj partie, fokusi i Dhomave të Specializuara ka dalë jashtë mandatit.

“Fatkeqësisht, që nga momenti kur janë bërë publike aktakuzat e para kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe ish-udhëheqësve shtetërorë të Kosovës, është bërë e qartë se fokusi i Dhomave të Specializuara ka dalë jashtë mandatit dhe çdo kontrolli institucional, duke u shndërruar në një mekanizëm që i ndjekë vetëm shqiptarët”- thuhet tutje në komunikatë.

Ndërsa, tutje është theksuar se PDK kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës “që të ndalin këtë fushatë përndjekëse dhe t’i kthehen punës së tyre brenda mandatit dhe fushëveprimit të tyre”.

Bastisjet që janë zhvilluar sot për rreth 4 orë në shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e Gjykatës në Hagë, kanë rezultuar me një telefon të konfiskuar.

Të hënën, Specialja ka kryer bastisje në shtëpinë Bashkim Smakajt, ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, AKI dhe në banesën e ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala.

Kurse të martën, ZPS-ja ka zhvilluar bastisje edhe në pronat e Artan Behramit, po ashtu ish-këshilltar i Thaçit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ZPS ka thënë se janë duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë, të cilat po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Specialja konfiskoi një telefon ish-këshilltarit të Hashim Thaçit