Shtëpia e Ismail Sylës, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

Specialja konfiskoi një telefon ish-këshilltarit të Hashim Thaçit

Bastisjet që janë zhvilluar sot për rreth 4 orë në shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e Gjykatës në Hagë, kanë rezultuar me një telefon të konfiskuar.

Kështu ka bërë të ditur pas përfundimit të bastisjeve, avokati i Sylës, Artan Çerkini.

“Asgjë s’është konfiskuar përveç se një telefon, asgjë tjetër. Telefoni i përket zotit Ismail Syla, asgjë tjetër pos një telefoni nuk është konfiskuar dhe të jeni të bindur se edhe po ta ftoni zotin Syla që ta dorëzojë atë telefon, do ta bënte një gjë të tillë”, ka theksuar Çerkini.

Çerkini i ka quajtur “të kota” këto bastisje, pasi sipas tij nuk janë në funksion të realizimit të qëllimit të bastisjes.

Është duke u cenuar privatësia e personave pa ndonjë bazë ligjore, pa ndonjë logjikë të shëndoshë juridike, e thash edhe dje se kjo fushatë e bastisjeve tashmë është e njohur për opinionin publik dhe nuk ka asnjë njeri me inteligjencë mesatare, jo mbi mesatare që do të mbante në shtëpinë e vet diçka inkriminuese duke e ditur se shumë lehtë mund të jetë shënjestër e bastisjeve”, është deklaruar Çerkini.

Më tej, Çerkini ka shtuar se Ismail Syla dhe disa të tjerë që u janë bastisur pronat deri më tani, nuk e kanë fare statusin e personit të dyshuar.

“Por, edhe përkundër faktit se nuk e kanë statusin e personit të dyshuar, ata po bastisin. Mendoj se kjo është shkelje kushtetuese edhe ligjore, mirëpo ne këto shqetësime do t’i adresojmë përmes mjeteve juridike në fazën adekuate të procedurës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, arsyetimi i zyrtarëve të EULEX-it për të bastisur, sipas Çerkinit, është i ngjajshëm me rastet tjera të bastisjeve.

Sipas tij, ata mendojnë se mund të gjenden prova me relevancë për procedura të cilat janë duke u zhvilluar pranë dhomave të specializuara në Gjykatën e Hagës, dhe se nuk ofrohen detaje se pse mendojnë kështu.

Çerkini tha se duhet të ofrohen këto detaje pasi po cenohet një e drejtë kushtetuese – privatësia dhe paprekshmëria e banesës.

Çerkini e ka mohuar se a janë bastisur edhe prona tjera të Sylës.

Të hënën, Specialja ka kryer bastisje në shtëpinë Bashkim Smakajt, ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, AKI dhe në banesën e ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala.

Kurse të martën, ZPS-ja ka zhvilluar bastisje edhe në pronat e Artan Behramit, po ashtu ish-këshilltar i Thaçit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ZPS ka thënë se janë duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë, të cilat po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).