Pamje nga bastisja e Speciales tek shtëpia e ish-këshilltarit të Thaçit, Ismail Syla - FOTO

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e Gjykatës në Hagë, janë duke vazhduar edhe sot me bastisje.

Bastisja është duke u kryer në shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në vendin e ngjarjes ku janë parë vetura dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it por edhe zyrtarë të ZPS-së.

Të hënën, Specialja ka kryer bastisje në shtëpinë Bashkim Smakajt, ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, AKI dhe në banesën e (ish) këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ZPS ka thënë se janë duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë, të cilat po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Kurse të martën, ZPS-ja ka zhvilluar bastisje edhe në pronat e Artan Behramit, po ashtu ish-këshilltar i Thaçit.

Avokati i Behramit, Artan Qerkini tha se nuk është konfiskuar asgjë me relevancë.

Ai tha se kanë parashtruar disa vërejtje gjatë bastisjes dhe tha se do të marrin hapa konkretë ligjorë për ta kundërshtuar atë.

“Nuk është konfisku asgjë me relevancë, imagjinoni janë konfisku iPad-at e fëmijëve që në dukje të parë shiheshin se shërbejnë për shkollimin dhe lojërat e fëmijëve” – tha Qerkini para mediave.

Qerkini po ashtu tha se janë bastisur edhe prona të familjarëve të Behramit, ndonëse siç tha ai, kjo nuk ka qenë në urdhrin për bastisje. Ai shtoi se bastisja po bëhet në banesën e dikujt që nuk e ka statusin e të dyshuarit.